Në mes të dhjetorit 2021 kryeministri Rama, foli për kthimin e hapësirave përreth objekteve të arsimit parauniveristar në parcela me produkte bujqësore nga nxënësit. Verifikimet e Faktoje, treguan se në buxhetin afatmesëm të MASR nuk ka ndonjë fond specifik për këtë nismë, ndërsa ministria sqaron se kjo nismë është pjesë e programit “Për artet dhe Zejet” që nis të zbatohet në shtator 2022 dhe aktualisht është në fazën e gjenerimit dhe mbledhjes së ideve.
Gjatë një vizite në dy shkolla në Tiranë Kryeministri Rama paralajmëroi ndryshime të rëndësishme gjatë mandatit të tretë ku theksoi se bari në ambientet e shkollave do të zëvendësohet me mbjelljen e produkteve bujqësore. Rama tha se vetëm në këtë mënyrë nxënësit do të shkëputen nga teknologjia dhe do të kuptojnë vlerën e vërtetë që dhuron natyra dhe toka.
“Nuk mund të ketë hapësira rreth e rrotull shkollës që rrinë kot. Ndërsa i parcelave bujqësore në shkolla duhet të bëhet realitet, gjithë këto hapësira brenda shkollave nuk mund të jenë hapësira me bar, bari është i bukur por bari kërkon mund të madh për mirëmbajtjen e vazhdueshme. Këtu brenda mureve të shkollave ka vend për kultivimin e perimeve për t’i dhënë mundësi nxënësve të kenë kontakt dhe të kenë dijeni fillestare për tokën dhe vlerat e saj.”- tha kryeministri Rama në 16 dhjetor 2021, teksa përuronte shkollën 9-vjeçare “Vaçe Zela dhe atë të mesme “Kristo Frashëri në Tiranë.
Pjesë nga fjala e kryeminisitrit në përurimin e 16.12.2021, Burimi kryeministria.al
Nisur nga kjo deklaratë Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion zyrës së kryeministrisë për të mësuar më shumë detaje rreth zbatimit të kësaj nisme:
Kërkesa për informacion dërguar Kryeministrisë në 28.12.2021
Në përgjigjen për Faktoje, ky institucion na informon se kërkesa jonë nuk i referohet ndonjë dokumenti nëpërmjet të cilit kërkojmë të informohemi, si përshembull një VKM, Urdhër ose Udhëzim, duke e lënë pa përgjigje pyetjen tonë.
Përgjigjja nga zyra e kryeministrisë
Ne i dërguam një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Arsimit ku e pyetëm nëse është në dijeni të kësaj nisme dhe si parashikohet të zbatohet ajo.
Kërkesa dërguar Ministrisë së Arsimit
Në përgjigjen e tij ky institucion shkruan se, qeveria shqiptare ka iniciuar programin kombëtar “Artet dhe zejet në arsimin parauniversitar”, i cili është ende në fazën e grumbullimit të ideve. Zbatimi i këtij programi bëhet me koordinimin e Ministrisë së Shtetit për Fëmijët dhe Rininë.
Përgjigjja e plotë nga Ministria e Arsimit
Nga kërkimet tona në buxhetin e Ministrisë së Arsimit për planin 2021-2024 nuk ka asnjë zë që përkon me ndonjë program për “Artet dhe zejet në arsimin parauniversitar” .
Pjesë nga buxheti i Ministrisë së Arsimit 2021-2024
Më 17/08/2021 Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka publikuar “Udhëzimin për vitin e ri shkollor 2021-2022 në sistemin parauniversitar”. Në njoftimin në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit thuhet se në këtë udhëzim është përfshirë edhe zbatimi i programit të ri të arteve, zejeve dhe sporteve.
Njoftimi zyrtar nga Ministria e Arsimit
Në udhëzimin e publikuar të vetmet programe që lidheshin me artet, zejet dhe sportet ishin ato të shkollave të orientuara tashmë drejt programeve të tilla të cilat në fakt janë ekzistuese.
Pjesë nga udhëzimi për vitin shkollor 2021-2022
Në rastin e dytë, i vetmi program lidhej me një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës i përket vitit 2016, por nuk specifikon asgjë lidhur me një nismë të tillë, sikurse e përshkruan kryeministri Rama.
Pjesë nga udhëzimi për vitin shkollor 2021-2022
Nga i gjithë informacioni që kemi grumbulluar, kjo nismë ende nuk ka një bazë konkrete të zhvillimit të saj ashtu sikurse thuhej nga Ministria e Arsimit e cila parashikon që zbatimi të nisë në shtator të vitit 2022.