ANDI BORA & ANXHELA RUÇI
Çmimi i energjisë elektrike pas reformës në energji, e cila nisi zbatimin në janar të 2015-ës, nuk është rritur. Kjo ishte deklarata e dhënë nga kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama në emisionin “ Të paekspozuarit”, vitin që lamë pas, por sipas verifikimit nga FAKTOJE, nuk rezulton të jetë kështu.
Llogaritja me laps e letër
Përpara vitit 2015, deri në fashën 300 kWh çmimi i energjisë llogaritej me 7.7 lekë, ndërsa mbi këtë fashë, kilovatët llogariteshin me 12.5 lekë. Prej 2 vitesh, me reformën në energjitikë, çmimi i energjisë u uniformizua me 9.5 lekë/kilovat duke lënë mënjanë ndarjen e fashave.
“Faktoje” ka vërtetuar se shumica e konsumatorëve familjarë e paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike, ndryshe nga çfarë ka deklaruar kreu i qeverisë. Sipas raporteve vjetore të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nga viti 2010-2016, familjarët që harxhojnë nga 1-300 kWh/muaj, përbëjnë 54% të totalit të konsumatorëve.
Me një llogaritje të thjeshtë, përpara vitit 2015, konsumatorët familjarë paguanin 2310 lekë në muaj nëse shpenzonin 300 kWh. Por pas reformës, për të njëjtën sasi kilovatësh, konsumatorët familjarë paguajnë 2850 lekë në muaj. Thënë ndryshe, me 540 lekë që sot i shpenzojnë për energjinë, më përpara konsumatorët me këtë shifër mund të blinin bukë për 7 ditë të muajit.
Kabineti qeverisës “bie me këmbët e tij”
Në një deklaratë e cila mban datën 4 shtator 2014, Ministria e Energjisë mban të njëjtën linjë mendimi me kryeministrin e vendit, duke përsëritur se “reforma në energjitikë nuk do të ndikojë në xhepat e qytetarëve”. Por 4 muaj më vonë dhe vetë kabineti qeverisës e pranon publikisht se çmimi i energjisë ka ndryshuar. Në janar të vitit 2015 siç saktësohet dhe në VKM, “për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike si rezultat i heqjes së fashës deri në 300 kWh, u miratua kompensimi me 648 lekë/muaj për shtresat në nevojë”. Domethënë një panoramë me një qeveri e një temë diskutimi, nëse është rritur apo jo çmimi energjisë, përfundon në dy deklarata që qëndrojnë në dy skaje të ndryshme
Çmimi i energjisë është rritur
Pretendimi i kryeministrit Rama se çmimi i energjisë elektrike nuk është rritur bie poshtë duke marrë parasysh se: 54% e konsumatorëve paguajnë 540 lekë më shumë seç paguanin përpara vitit 2015. Gjithashtu, vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave për kompensimin e familjeve në nevojë e përforcon më tej se çmimi i energjisë ka ndryshuar dhe rëndon më shumë në xhepat e qytetarëve. Me keqardhje ju informojmë se ata që nuk e kalojnë fashën e 300 kWh në muaj, paguajnë më shumë për energjinë elekrtike, rrjedhimisht deklarata e kreut të qeverisë klasifikohet si gënjeshtër.
Reforma në energjitikë, e cila nisi zbatimin e saj dy vite më parë, përveç heqjes së fashës 300 kWh, kishte si prioriet krijimin e mundësisë për kontrollin e kompanisë nga shteti, ristrukturimin e kompanisë, investime në sektorin e shpërndarjes, reformë ligjore, komercializimin e kompanisë si edhe dalje në tregjet financiare.