.

.

BallinaFaktometerPa kategoriEdhe KE shpreh rezerva për rrëzimin e komisioneve hetimore të opozitës

Edhe KE shpreh rezerva për rrëzimin e komisioneve hetimore të opozitës

E drejta kushtetuese e opozitës për të ngritur komisione hetimore u rikonfirmua edhe në raportin e progresit të publikuar nga Komisioni Europian në 8 nëntor. Mazhoranca deklaron se nuk e ka ndaluar opozitën të ngrejë komisione hetimore parlamentare. Por në arkivat e Kuvendit gjenden 8 vendime mospranimi të kërkesës së opozitës për ngritjen e tyre, vetëm gjatë legjislaturës së fundit. Në seancën plenare 19 minutëshe këtë të enjte, opozita vijoi aksionin për të bllokuar mbajtjen e punimeve, ku pavarësisht kaosit dhe tymueseve në sallë, mazhoranca rrëzoi edhe 6 projektligje të propozuara nga opozita.

Jona Plumbi

“Gjatë periudhës raportuese, opozita kërkoi ngritjen e dy komisioneve hetimore, por mazhoranca i hodhi poshtë të dyja kërkesat, pavarësisht se e drejta e opozitës për të inicuar komisione të tilla garantohet me Kushtetutë.vëren raporti i progresit të Shqipërisë për vitin 2023, i Komisionit Europian i publikuar të mërkurën e 8 nëntorit.

Pak javë para këtij reagimi të KE, Faktoje kishte nisur një verifikim në lidhje me rrëzimin në seri të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, për çështje me interes publik. Dy kërkesat e fundit për komisionet hetimore të refuzuara nga mazhoranca lidhen me atë për trajtimin e të dhënave personale në bazat e të dhënave shtetërore dhe komisioni tjetër për të hetuar kontratat publike në sektorin e shëndetësisë.

E drejta kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore

Opozita këmbëngul në faktin se është Kushtetuta dhe ligji ai që i jep të drejtën për ngritjen e komisioneve hetimore dhe Kuvendit, detyrimin për t’i miratuar ato, bazuar në nenin 5 të ligjit për komisionet hetimore.

*Kushtetuta, neni 77 për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare
*neni 5 i ligjit për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore në Kuvend

Por mazhoranca, duke përdorur shumicën e votave të parlamentit, rrëzoi në 12 tetor këto propozime.

*rezultati i votimit në Parlament për rrëzimin e komisionit hetimor për të dhënat personale në bazat e të dhënave shtetërore
*rezultati i votimit në Parlament për rrëzimin e komisionit hetimor për kontratat publike në sektorin e shëndetësisë

Faktoje kërkoi nga Kuvendi i Shqipërisë informacion se në cilin nen, të cilit ligj apo vendimi gjykate Kushtetuese u bazua refuzimi i ngritjes së komisioneve hetimore. Në përfundim të afatit dyjavor, Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kthyer ende përgjigje.

Argumentat e mazhorancës për rrëzimin e komisioneve hetimore

Pavarësisht mungesës së përgjigjes nga Kuvendi për argumentat ligjore të rrëzimit të dy komisioneve hetimore, mazhoranca ka artikuluar disa argumenta për refuzimin e komisioneve hetimore.

Argumenti 1

“Mazhoranca po punon për ta ndryshuar ligjin për komisionet hetimore.”

Mirëpo ky argument duket se nuk e bind KE-në që dha këtë reagim përmes progresraportit të publikuar të mërkurën:

“Argumenti i mazhorancës [për refuzimin e komisioneve hetimore] në të dyja rastet ishte se është në shqyrtim një rishikim i ligjit për komisionet hetimore,  megjithatë ligji aktual, mbetet në fuqi.

Argumenti 2

“Fusha e hetimit që ka kërkuar opozita është shumë e gjerë.”

Sa i përket objektit të hetimit, studiuesi i sistemeve politike Afrim Krasniqi mbështet idenë e lejimit të ngritjes së komisionet hetimore.

“Çdo nismë për komisionin duhet miratuar, debati mund të bëhet mbi përmbajtjen dhe objektin e hetimit, por jo për të drejtën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore”.

Argumenti 3

“Këto çështje po hetohen edhe nga prokuroria, gjë që cënon pavarësinë e pushteteve.”

Mirëpo edhe argumenti 3 bie, pasi ligji i ndan qartë fushat e hetimit parlamentar dhe atij penal, gjë që e theksoi kreu i SPAK, Altin Dumani për INA Media kur tha:

“Komisionet hetimore, parlamentare kanë qëllim dhe funksion të ndryshëm nga hetimi që kryen SPAK, i cili është i natyrës penale. Standardet e provueshmërisë së procesit penal janë më të larta dhe procedura e ndjekur për ngritjen e një akuze është shumë më rigoroze.

Çfarë thotë Gjykata Kushtetuese

Një tjetër fakt që mbështet argumentat mbi të drejtën e opozitës për të ngritur komisione hetimore, janë vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese ndaj refuzimit që mazhoranca i ka bërë edhe më parë këtyre nismave.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, gjyqtarët vlerësuan se “argumenti i përdorur nga Kuvendi për mosmiratimin e kërkesës së pakicës parlamentare për ngritjen e Komisionit Hetimor në fjalë, është i pabazuar.

Vendimi i GJK thekson:

E drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor nuk mund të vihet në diskutim.” duke e shpallur si në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë vendimit nr.36/2014, datë 22.05.2014 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e kërkesës së një grupi deputetësh “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e fakteve dhe të rrethanave të bëra publike për fenomenin e rritjes së trafikut të drogës, përfshirë përdorimin e hapësirës ajrore nga narkotrafikantët”.

Pavarësisht këtij kazusi, Kuvendi votoi kundër ngritjes së dy komisioneve hetimore të kërkuar nga opozita.

Beteja në parlament

Një ditë pas publikimit të progresraportit të KE, këtë të enjte opozita vijoi aksionin e bllokimit të punimeve të parlamentit, pikërisht me argumentin se Kuvendi ka  refuzuar ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare të kërkuara prej saj.

Rendi i ditës parashikonte votimin e shtatë projektligjeve, të propozuara nga deputetë të opozitës parlamentare. Por, ndërsa foltorja u bllokua dhe 19 minutat e zhvillimit tw seancws u shoqëruan me tymuese dhe thirrje nga opozita, kryetarja e parlamentit lexoi pikat e rendit të ditës, hapi votimin dhe deputetët e mazhorancës rrëzuan 6 projektligjet e propozuara nga opozita:

Në përfundim të seancës së pazakontë për nga zhvillimi, kreu i grupit parlamentar socialist Blendi Çuçi tha për gazetarët:

“Absolutisht ne nuk e kemi thënë në asnjë moment që opozita nuk e ka të drejtën kushtetuese për të ngritur komisione. E vetmja gjë që na bën që të mos i miratojmë komisionet hetimore që ato kërkojnë kanë të bëjnë me objektin e hetimit. Po të jetë brenda kërkesave që ka Kushtetuta, patjetër që e miratojmë”.

Përfundim

Mazhoranca dhe opozita bien dakord në të drejtën kushtetuese të kësaj të fundit për të ngritur komisione hetimore. Pavarësisht detyrimit që Kushtetuta i vesh Kuvendit për të miratuar komisione hetimore të propozuara nga të paktën 35 deputetë të opozitës, në 12 tetor mazhoranca rrëzoi dy kërkesa për ngritje të komisioneve hetimore nga opozita, pa dhënë asnjë argument ligjor për rrezimin e tyre si antikushtetuese. Opozita ndërkohë vijon të bllokojë zhvillimin normal të seancës parlamentare me argumentin se po i shkelet e drejta kushtetuese, por nuk ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese për dy vendimet e Kuvendit që rrëzuan kërkesat për komisione hetimore.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img