.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE vërteta e testamentit të Aleksandrit të Madh, viktimë e keqinformimit

E vërteta e testamentit të Aleksandrit të Madh, viktimë e keqinformimit

Një dokument i zbuluar nga studiuesja Lucia Nadin në në Bibliotekën e Muzeut Correr në Venecia që në vitet 1990 ringjallet herë pas here nga mediat shqiptare për të pretenduar se ai zgjidh në mënyrë të pakundërshtueshme një nga çështjet më të diskutuara nga historianët e Ballkanit, atë të origjinës së Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Verifikimi i “Faktoje” shpjegon se si këto pretendime dyshohen edhe nga vetë Nadin, janë shumë madhore për t’u provuar përfundimisht nga një dokument i vetëm, dhe hedhin hije mbi rëndësinë e vërtetë të dokumentit të zbuluar.

Patris Pustina

Më së fundmi, është portali gazetaz.com që ka ringjallur një pretendim të kahershëm se dokumenti Statutet e Shkodrës, i zbuluar në vitet ‘90 nga studiuesja Lucia Nadin në një bibliotekë të Venecias, konfirmon se Aleksandri i Madh ka qenë shqiptar.

“Të gjithë kemi lexuar për bëmat e tij, por ajo që diskutohet sot ash’për në mbarë botën është origjina e tij. Por të gjitha aludimet duket se do të marrin fund, pasi këtë javë studiuesja e shquar italiane Lucia Nadin ka zbuluar ‘testamentin’ e Aleksandrit të Madh,” shkruhet në artikull.

Në fakt, ky “testament” është botuar që në 2002, si pjesë e Statuteve të Shkodrës, pra ka 20 vite në qarkullim. Edhe vetë pretendimi se ky testament provon origjinën shqiptare të Aleksandrit është të paktën 10 vjeç.

Artikulli më tej pretendon se “dokumenti është publikuar nga studiuesja italiane, e cila ka bërë një hulumtim shkencor për Aleksandrin e Madh.” Në të vërtetë “testamenti” në fjalë, gjendet në hyrjen e dokumentit historik të zbuluar nga studiuesja Nadin, dhe është botuar si pjesë e tij, dhe jo si pjesë e ndonjë hulumtimi për Aleksandrin e Madh.

Dokumenti ku gjendet ky i ashtuquajtur testament është Statutet e Shkodrës, një kod normativ vetëqeverisës i Shkodrës nën sundimin e Venedikut gjatë gjysmës së parë të shekullit XIV e deri më 1479, vitin e pushtimit nga osmanët. 

Ai hapet me “Privilegjin e Aleksandrit të Madh” ku shkruhet:

“Unë Aleksandri, biri i Filipit, mbretit të maqedonasve, mishërim i monarkisë, krijues i perandorisë greke, biri i Zeusit, bashkëbisedues i Brahmanëve dhe i Pemëve, i diellit dhe i hënës, triumfues mbi mbretëritë e Persëve e të Medëve, Zoti i botës, ku dielli lind e nuk perëndon, nga Veriu në Jug, pinjoll shquar i popujve ilirikë të Dalmacisë dhe Liburnëve dhe të popujve të tjerë të së njëjtës gjuhë që popullojnë zonën qendrore të Danubit dhe të Thrakës, u sjell dashurinë paqen dhe përshëndetjet e mia dhe të gjithë atyre që ndjekin sundimin e botës. 

Duke qenë se ju gjithmonë me jeni treguar të besës dhe të fortë e të pathyeshëm në betejat e bëra krah meje, u jap dhe u dorëzoj juve në zotërim gjithë hapësirën e lirë të Akuilonit e deri në skaj të Italisë së Jugut. Askush tjetër, veç jush, të mos guxojë të jetojë në ato vende, përveçse si skllavi juauj, dhe pasardhësit e tij do të jenë skllevër të pasardhësve tuaj.

Kështu u shkrua nga unë në Kështjellën e qytetit të Aleksandrisë, themeluar prej meje buzë lumit madhështor të Nilit në XII. Me vullnet të perëndive që nderohen në mbretëritë e mia, Zeusit, Marsit, Plutonit dhe Minervës, perëndisë së perëndive. Dëshmitar të këtij akti janë Atleti, logotheti i im, dhe 11 princa të tjerë, të cilët unë po i emëroj si trashëgimtarë të mi dhe të të gjithë Botës, meqenëse po vdes pa lënë pasardhës.”

Sa i përket këtij “testamenti”, vetë studiuesja Nadin ka deklaruar se ai nuk mund të merret si tekst autentik. “Se kush e krijoi këtë tekst, tashmë të njohur në shekullin e XIV, nuk dihet deri më sot,” ka thënë ajo. “Me ndryshime dhe variacione të ndryshme, ai shoqëron lindjen e komuniteteve të ndryshme në rajonin e Ballkanit.” 

Autenticiteti i këtij “testamenti” është vënë edhe më parë në dyshim nga shkollarë dhe shkrimtarë shqipfolës.

Në fakt, një version gati identik i këtij teksti gjendet edhe në librin e Mavro Orbinit të vitit 1601 “Mbretëria e Sllavëve”. I vetmi ndryshim është se, në versionin e Orbinos, Aleksandri i Madh ua dhuron sllavëve territorin e përshkruar më sipër. Stefano Trovato hipotetizon se Statuti i Shkodrës e ka marrë frymëzimin për këtë pretendim trashëgimie nga Aleksandri i Madh nga sllavët, duke qenë se Shkodra ishte pjesë e mbretërisë së Serbisë në fillimet e shekullit XIV.

Megjithëse ky “testament” nuk provon se Aleksandri i Madh ka qenë shqiptar, kjo nuk do të thotë se ai është i pavlerë. Si dokument historik dëshmon se që në periudhën mesjetare para pushtimit osman, teza e vazhdimësisë së popullsisë shqiptare nga ajo ilire ekzistonte. Për më tepër, ndryshe nga pretendimet se kjo vazhdimësi u propozua për herë të parë nga historiani gjerman Johan Erik Thunman në shekullin XVIII, këtu dëshmohet se kjo narrativë njihej dhe përdorej që në shekullin XIV, nga vetë shqiptarët.

Ndërsa origjina e Aleksandrit të Madh mbetet mollë sherri për kombet, si pasojë, rëndësia e pakundërshtueshme historike e Statuteve të Shkodrës lihet në harresë. Në ndjekje të një origjine mitike madhështore, shpërfillet një dokument që dëshmon për jetën e pasur qytetare mesjetare dhe zhvillimin e kodeve juridike në trojet Shqiptare.

Ato na mundësojnë një dritare në mënyrën se si është rregulluar jeta qytetare mesjetare në këto troje për mbi 150 vjet, më gjatë se Kushtetuta e tanishme e shtetit tonë. Megjithëse ekzistenca e dokumenteve të ngjashme dëshmohet nga bibliografia për qytetet e Tivarit, Ulqinit, dhe Durrësit, Statutet e Shkodrës mbeten i vetmi tekst i plotë i llojit të tij që i ka mbijetuar kohës. 

Ndërkohë, disa akademikë kanë gjurmuar në këtë dokument, të shkruar në një dialekt venedikas, konceptin shqiptar të ‘besës’ në fjalën e vetme të prejardhjes thjesht shqipe “besare”.

Historiani Olvier Schmitt e ka quajtur këtë dokument “një monument i vërtetë i Shqipërisë Mesjetare.”

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Në 19 maj 2023 portali valetal.info e ka korrigjuar lajmin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img