“Lost in translation” është një shprehje e ndërkombëtarizuar kur bëhet fjalë për keqinterpretimin e deklaratës së dikujt të bërë në një gjuhë të huaj. Megjithatë intervista e Eduard Selamit për “Zërin e Amerikës” është bërë në gjuhën shqipe dhe ka pak gjasa që vendimi i tij për një rikthim të shpejtë në krye të PD, të jetë keqkuptuar nga portalet shqiptare. Nga verifikimi i Faktoje, deklaratat e zotit Selami që po qarkullojnë online ditët e fundit jo vetëm që janë rimarrë nga një intervistë e dhjetorit të kaluar, por edhe janë ndryshuar qëllimisht për të tërhequr klikime.
Granit Sokolaj
Titulli i një lajmi të publikuar me 16 gusht 2022 nga PortaliKoha.com ka tërhequr interesimin e shumë lexuesve në Facebook me deklaratën e bujshme për një rikthim të Eduard Selamit në krye të Partisë Demokratike. E vendosur në vetën e parë si pohim i politikanit të larguar tashmë prej disa vitesh nga jeta aktive politike në Shqipëri, deklarata bëhet edhe më sensacionale kur flitet për arrestim të Berishës apo edhe një skenar të ambasadores amerikane Yuri Kim për këtë katapultim të mundshëm.
Titulli i PortalitKoha “Rikthehet Eduard Selami: Do jem kryetari i PD pas arrestimit të Sali Berishës, më ka vendosur Yuri Kim…” nuk mund të premtonte më shumë skenarë intrigues në kaq pak rreshta dhe duhet të ketë zgjuar shumë pritshmëri në të dyja kampet brenda PD-së.
Screenshot i lajmit të 16 gusht 2022 në PortaliKoha
Por pas këtij titulli bombastik, që ka shërbyer për të mbledhur klikime për portalin, mjafton të lexohen rreshtat e parë të tekstit të lajmit për të kuptuar sesa larg ka shkuar fantazia e autorit të titullit. Vetë përmbajtja e lajmit, konfirmon qëllimin e Eduard Selamit për të mos u kthyer në drejtimin e partisë që drejtohet aktualisht nga Sali Berisha. Citohet më në detaje se: …Në fund, Selami mohoi një rikthim tjetër në PD. “Po. Interesi im është që të shikoj Shqipërinë që të përparojë dhe do bej gjithcka qe kjo te ndodhe qofte dhe duke sakrifikuar jeten time te qete ne amerike dhe te rikthehem ne Shqiperi. Unë mendoj që kontributi im i takon së kaluarëës dhe do ti takojë dhe së ardhmes së vendit brenda pak muajsh do shikoni projekte shumë serioze nga ana ime dhe grupit që më mbështet në PD.”
Të dyja këto përgjigje, që kundërshtojnë njëra-tjetrën brenda të njëjtës fjali, janë analizuar më tej nga Faktoje. Në një kërkim pranë shërbimit në shqip “Zëri i Amerikës”, rezulton se intervista e fundit e z.Eduard Selami, pjesë të së cilës janë përdorur për të ndërtuar shkrimin e mësipërm të PortaliKoha.net, është publikuar më 1 dhjetor 2021. Në këtë intervistë, z. Selami pyetjes nëse “…e shihte veten të rikthehet në Shqipëri për të kandiduar?” i është përgjigjur: “Jo. Interesi i vetëm është që të shikoj Shqipërinë që të përparojë dhe të ndihmoj me aq sa të kem mundësi. Edhe nga kjo studio, dhe falemnderit për ftesën. Kontributi im i takon së kaluarës. Unë kam parë atje mjaft të rinj e të reja, të cilët mund ta çojnë Partinë Demokratike atje ku duhet dhe kam besim se kjo do të dalë. Mund të mos dalë sot a nesër, por kam shumë besim se kjo do të arrihet”.
Intervista në VOA e publikuar më 1 dhjetor 2021
Mund të kuptohet pra, se autorët e lajmit që qarkullon ditët e fundit jo vetëm kanë ricikluar një intervistë të vjetër, mbi 9 muaj më parë, por gjithashtu kanë shtuar pasazhe të tëra në citime, që flasin jo vetëm për një rikthim, por edhe për një grup mbështetës të Selamit brenda PD. Kjo pjesë e shtuar në fjali, përmban edhe gabime drejtëshkrimore si dhe mungesë të përdorimit të gërmës –ë, ndryshe nga pjesa e fjalive të shkëputura nga intervista e vërtetë. Edhe pse mund të zhgënjejmë demokratët që presin një ndryshim në situatën që ndodhet partia e tyre, për fat të keq, një skenar për rikthimin e zotit Selami në krye të partisë me porosinë e ambasadores amerikane, mbetet vetëm një trillim për klikime.
*Foto kryesore marrë nga web
*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin