Administratori i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare Ergys Verdho deklaroi në media se bursa hungareze e energjisë HUDEX ka shitur energji, mbi 1000 euro/Mwh në javën e parë të shtatorit. Faktoje bëri një verifikim dhe rezultoi se energjia u tregtua me këtë çmim në HUDEX për vetëm dy orë mbrëmjen e 30 gushtit. Çmimi real i energjisë në shtator është gati sa gjysma e vlerës së deklaruar nga zyrtari i KESH.
Esmeralda Topi
“Aktualisht HUDEX parashikon çmime në nivele 550-750 Eur/MWh për periudhën e mbetur të vitit 2022, ndërkohë që në javën e kaluar çmimet paraqiteshin me vlera deri në 1000 Euro/MWh, çka e bën edhe më të vështirë e të paparashikueshme të ardhmen e afërt”- deklaroi për Shqiptarja.com Administratori i Korporatës Elektroenergjitike Ergys Verdho më 13 shtator.
Faktoje bëri një verifikim mbi çmimet e energjisë në bursën e Hungarisë, që shërben si referencë për transaksionet në Shqipëri.
Referuar shifrave të publikuara në bursën HUDEX, rezulton se çmimi i energjisë nga data 1 shtator deri në 13 shtator është luhatur nga vlera 310 euro/MWh deri në 618 euro/MWh.
01.09.2022 | 618.10 |
02.09.2022 | 493.95 |
03.09.2022 | 358.01 |
04.09.2022 | 310.42 |
05.09.2022 | 449.36 |
06.09.2022 | 531.44 |
07.09.2022 | 484.01 |
08.09.2022 | 481.41 |
09.09.2022 | 384.77 |
10.09.2022 | 404.32 |
11.09.2022 | 391.64 |
12.09.2022 | 436.37 |
13.09.2022 | 448.65 |
Cmimi i energjisë në bursën HUDEX (30.08.2022)
Të dhënat ‘rrëzojnë’ deklaratën e Administratorit të KESH Ergys Verdho. Sipas kërkimeve që bëri Faktoje, çmimi i energjisë mbi 1000 Euro/MWh që i referohet administratori i KESH, i takon datës 30 gusht. Përkatësisht, në orën 20.00 dhe orën 21.00 të datës 30 gusht, çmimi i energjisë elektrike në bursën e Hungarisë arriti vlerën 1047.10 euro/MWh dhe 1040.76 euro/MWh.
30.08.2022 | H1 | 617.49 |
30.08.2022 | H2 | 595.07 |
30.08.2022 | H3 | 585.01 |
30.08.2022 | H4 | 584.96 |
30.08.2022 | H5 | 596.98 |
30.08.2022 | H6 | 612.55 |
30.08.2022 | H7 | 762.64 |
30.08.2022 | H8 | 778.06 |
30.08.2022 | H9 | 791.31 |
30.08.2022 | H10 | 765.75 |
30.08.2022 | H11 | 751.11 |
30.08.2022 | H12 | 751.14 |
30.08.2022 | H13 | 768.08 |
30.08.2022 | H14 | 767.59 |
30.08.2022 | H15 | 752.72 |
30.08.2022 | H16 | 776.29 |
30.08.2022 | H17 | 804.26 |
30.08.2022 | H18 | 812.22 |
30.08.2022 | H19 | 914.13 |
30.08.2022 | H20 | 1047.10 |
30.08.2022 | H21 | 1040.76 |
30.08.2022 | H22 | 887.08 |
30.08.2022 | H23 | 633.04 |
30.08.2022 | H24 | 580.01 |
Cmimi i energjisë në bursën HUDEX (30.08.2022)
“Duhet të jemi të vërtetë që ky çmim që i referohen ka qënë vetëm për dy orë në datën 30 gusht. Vendi ynë 70% të energjisë e prodhon vetë dhe 30 % e importon, i gjithë diskutimi për krizën bëhet për këtë 30%! Me pak fjalë, kriza më shumë është mediatike sesa reale! Ne jemi të rrezikuar nga kriza e energjisë elektrike vetëm në rastin kur do të mungojnë reshjet dhe do të ulet rezerva hidrike në 3 hidrocentralet kryesore të vendit tonë. Në rast se ne do të kemi vjeshtë me reshje normalisht që do e përballojmë vetë situatën energjitike pa “krizë”!”- thotë për Faktoje eksperti i energjisë Azmer Duleviç.
Për shkak të situatës së vështirë hidrike në kaskadën e Drinit, Shqipëria vijon të mbetet e ekspozuar ndaj çmimeve të larta në bursa. Që nga fillimi i këtij viti, vendi ynë ka blerë rreth 284 milionë euro energji elektrike. Fatura e blerjes së fundit nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare kap vlerën e 29 milionë eurove si blerje energjie për plotësimin e nevojave konsumatore për periudhën 12-18 shtator. Referuar të dhënave të publikuara nga KESH, në total janë blerë 58,660 MWh energji me një çmim mesatar të ponderuar 494.2 euro/MWh.
Screenshot me të dhëna nga rezultatet e tenderit për blerje energjie 12-18 shtator
Prej datës 11 shtator Korporata Elektronegjetike Energjetike shqiptare ka nisur të alternojë prodhimin dhe menaxhimin e kaskadës duke ndaluar prodhimin nga Fierza dhe duke lënë në punë vetëm Komanin dhe Vaun e Dejës. Prodhimi nga këto HEC-e sipas KESH do të krijojë hapësirën e nevojshme për prurjet që parashikohen nga reshjet në vijim.
“Muaji Shtator sipas parashikimeve pritet të jetë i freskët dhe i lagësht, ku priten evente me reshje shiu duke përmirësuar ndjeshëm situatën hidrike në kaskadë. Eventi me reshje shiu pritet në datat 16-17 Shtator.”- shkruhet në njoftimin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.