Paralajmërimi i fundit nga ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu për qytetarët të cilët shkelin masat mbrojtëse në kuadër të pandemisë duket se nuk kanë dhënë rezultatin e pritshëm.
“Ekspertët tanë e kanë thënë që në krye të herës. Faza e lehtësimit merr kuptim vetëm nëse shoqërohet me një ulje të qëndrueshme të numrit të infektimeve. Plani i lehtësimit të masave varet vetëm nga bashkëpunimi me ju. Është e vërtetë që ndëshkimet nuk janë zgjidhja, por është po aq e vërtetë se nuk mund të penalizohet një popull i tërë nga një pakicë, veprimet e së cilës mund të shkaktojnë dëme të pallogaritshme”, tha Manastirliu.
Në një vëzhgim që “Faktoje” bëri ditën e shtunë në rrugët e kryeqytetit u pa se qytetarët po i rikthehen me të njëjtën shkujdesje aktiviteteve, sis përpara pandemisë. Rrugët ishin mbushur plot e po ashtu edhe parqet, tregjet dhe sheshi “Skënderbej”
Pamje nga Pazari i Ri
Sheshi Skënderbej
Gjatë tre ditëve të fundit në Tiranë numri i personave të infektuar me Covid-19 u katërfishia në krahasim me ato të mëparshmet. Të enjten dhe të premten u shënuan nga 18 të infektuar të rinj, në krahasim me 4 që u identifikuar në ditët e fillimit të javës. Këtë të shtunë, numri i të personave pozitiv ndaj testit ishte 17, duke çuar në 933 numrin total të të prekurve që prej 9 marsit. Pavarësisht përditësimeve të ISHP dhe thirrjeve për më shumë kujdes në respektimin e masave kundër përhapjes së koronavirusit, padurimi I qytetarëve për shkak të karantinës I ka kaluar kufijtë, sidomos tani që koha është ngrohur.
Pamjet nga liqeni Artificial tregojnë forca të policisë që kanë bllokuar hyrjen për ata që tentojnë të hyjnë, por nuk i ndalon që ata të shëtisin përreth kësaj zone.
Tani mbetet për t’u parë si do të jetë sjellja e qytetarëve me hapjen e bareve dhe restoranteve, për të cilët janë vendosur rregulla strikte për distancimin dhe mënyrën e shërbimit gjatë kohës së pandemisë. A do t’i përshtatemi dot rregullave të reja?