Pretendimi: Një solucion, i ngjashëm me zbardhuesin e rrobave, trajton sëmundjet
Verdikti: E pavërtetë
Vjolanda Peca
Në rrjetet sociale po riciklohet pretendimi i rrezikshëm se dioksidi i klorit apo zbardhuesi industrial për rrobat mund të shërojë sëmundjet e rënda. Si shkak për këtë është bërë përfundimi i dënimit të Mark Grenon, amerikanit që ofronte këtë trajtim përkundrejt donacioneve për atë që konsiderohej si një “kishë jo fetare”.
“Pastori Mark Grenon që shëronte njerëz me dioksidin e klorit (pra jo me ilaçet me helm të Bigfarmës), u lirua nga burgu i Majamit pas 4 vjetësh. I vetmi krim që kishte kryer ishte që kuronte njerëz me një solucion që kushtonte vetëm disa dollarë”, shkruhet në postimin e videos. Komentuesit në këtë postim pretendojnë se edhe ata e përdorin këtë trajtim industrial duke promovuar kurën e rrezikshme.
Faktoje vendosi të verifikojë më tej këtë pretendim. Mediat amerikane kanë publikuar në vitin 2020 historinë e katër anëtarëve të familjes Grenon në ShBA, të cilët u shpallën fajtorë për shitjen e një zbardhuesi toksik industrial përmes kishës së tyre online.
Një juri federale në Miami shpalli Mark Grenon, 65 vjeç, dhe djemtë e tij, Jonathan 37 vjeç, Joseph 35 vjeç dhe Jordan 29 vjeç, fajtorë për komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara dhe për të shpërndarë mjekime të rreme.
Foto të siguruar nga zyra e prokurorit kolumbian, një oficer policie dhe një ushtar në krahun Mark Grenon (i dyti nga e majta) dhe djali i tij Joseph Grenon, gjatë një kontrolli në Santa Marta, Kolumbi, të martën, 11 gusht 2020.
Prokurorët i quajtën Grenons “mashtrues” dhe “shitës të eliksirit të rremë” dhe thanë se “Kisha e tyre e Shëndetit dhe Shërimit Genesis II” shiti zbardhuesin e quajtur “Solucioni Çudibërës Mineral” me vlerë prej 1 milion dollarësh, duke e shpërndarë atë për dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë vendin. Solucioni shitej si një kurë për 95% të sëmundjeve të njohura, përfshirë COVID-19, Alzheimerin, autizmin, kancerin e trurit, HIV/AIDS-in dhe sklerozën e shumëfishtë, thanë prokurorët.
Dioksidi i klorit është një substancë e ngjashme me zbardhuesin që zakonisht përdoret për trajtimin e tekstileve, ujit industrial dhe letrës. Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave paralajmëron se pirja e tij mund të shkaktojë efekte anësore të rrezikshme si të vjella të rënda, diarre dhe presion të ulët të gjakut që mund të rrezikojë jetën.
Autoritetet deklaruan se kishin marrë raporte për njerëz që kishin nevojë për hospitalizime, kishin zhvilluar kushte kërcënuese për jetën dhe madje edhe kishin vdekur pas pirjes së solucioneve. Një gjykatës federal në Miami urdhëroi kishën të ndalonte shitjen e substancës në 2020, por kjo u injorua. Jonathan dhe Jordan Grenon u arrestuan në Bradenton, Florida, ndërsa Mark dhe Joseph Grenon u arratisën në Kolumbi, ku u arrestuan dhe u ekstraduan përsëri në SHBA.
Sigurisht, trajtimi nuk ishte falas. Në aktakuzë, autoritetet pretenduan se familja Granon po përdornin Kishën Genesis II të Shëndetit dhe Shërimit, një entitet që e përshkruanin si një “kishë jo-fetare,” për të shmangur kufizimet qeveritare dhe për t’u mbrojtur nga ndjekja penale. Solucioni mund të merrej vetëm përmes një “donacioni” për kishën, por shumat e donacioneve ishin caktuar në shuma specifike të dollarëve dhe ishin të detyrueshme, thuhet në aktakuzë.