Në rrjete sociale është shpërndarë një video që pretendon se disa ushtarë ukrainas po djegin librin e shenjtë të Kuranit. Verifikimet tregojnë se bëhet fjalë për një video të rreme të krijuar nga propaganda ruse më qëllim provokimin e besimtarëve myslimanë.
Më 16 mars në rrjete sociale u shpërnda me shpejtësi një video, e cila tregon një person të veshur me uniformë ushtarake duke prerë mish derri mbi Kuran si dhe duke djegur librin e shenjtë për të ndezur zjarrin. Video është ndarë gjerësisht nga kanalet pro-ruse duke u shoqëruar me pretendimin se bëhet fjalë për një veprim të qëllimshëm të ushtarëve ukrainas. Një pretendim i tillë ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, veçanërisht nga besimtarët muslimanë që janë ndjerë të fyer nga një provokim i tillë.
Edhe në Shqipëri, një përdorues i rrjetit social Facebook, e ka shpërndarë videon, duke e shoqëruar me testin: “Ushtari ukrainas duke djegur Kuranin Kerim. Madje edhe e filmojnë dhe e bëjnë publike në formë krenarie.! Zoti i shkatërroftë sa më shpejt”
Video e postuar nga ky profil ka marrë 842 shikime, ndërkohë që postimi numëron 64 reagime dhe 28 komente nga përdorues të tjerë të cilët ‘kryqëzojnë’ ushtrinë ukrainase për këtë provokim.
Bazuar në shumë elemente të dyshimta në video, vendosëm që të bëjmë një verifikim të mëtejshëm të vërtetësisë së saj.
Video është publikuar fillimisht në rrjetin Tik-Tok nga një profil anonim dhe më pas është ripublikuar nga portale dhe gazeta të shumta ruse. E vetmja provë që përdoret në këtë lajm për autorësinë ukrainase është gjuha e përdorur si dhe uniforma e ushtarit që shfaqet në video, e cila për nga stili kamuflazhit ngjan me atë të ushtrisë ukrainase. Megjithatë, në video nuk shfaqet fytyra e ushtarit si dhe ndonjë shenjë tjetër dalluese e identitetit, gradave apo repartit që i përket ky ushtarak. Kjo është rruga normale që ndjek dizinfomimi nga një imazh i shkëputur dhe publikuar në profile anonime në rrjete sociale për t’u kthyer në prova për propagandën ruse.
Të dyja provat e paraqitura, janë rrëzuar nga Oleg Nikolenko, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Ukrainë, përmes një postimi në Twitter, duke e cilësuar videon të rremë.
“Rusia organizoi një klip me njerëz të panjohur që pretendonin se ishin ushtarë ukrainas. Në video dallohet që ushtarët flasin gjuhën ukrainase me gabime si dhe përdorin një thikë ushtarake ruse. Rusia duhet të dënohet për fyerjen e Islamit në një përpjekje për të diskredituar Ukrainën.”- shkruan Nikolenko në Twitter.
Edhe Said Ismagilov, myftiu i UMMA ose Komiteti i Myslimanëve të Ukrainës, kritikoi Rusinë për përhapjen e lajmeve të rreme. Në një video, ku shfaqet i armatosur dhe me uniformë ushtarake, lideri fetar ukrainas argumentoi disa gabime që rrëzojmë videon. “Përtej gjuhës së çalë ukrainase dhe thikës së ushtrisë ruse, që përdoret në video, në Ukrainë ne nuk kemi një variant të tillë të Kuranit (Churbansʹkih) si ai që shfaqet në video. Për më tej, ndryshe nga rusët, ushtria e Ukrainës respekton ‘zgjedhjen shpirtërore të çdo ushtari’ dhe të gjithë luftojmë pa dallime fetare”, thotë Ismagilov në videon e tij.