Pretendimi: Kjo video tregon një tunel 2400 km të gjatë që lidh Vatikanin me Jeruzalemin.
Verdikti: E pavërtetë
————————————-
Një video që duket se tregon një tunel të mbushur me lingota ari po qarkullon në rrjet me pretendimin se ky është një tunel “1500 milje i gjatë” që lidh Vatikanin me Jeruzalemin. Postimi i mëposhtëm është parë mbi 200 mijë herë.
Si zakonisht, ky pretendim i jashtëzakonshëm nuk është shoqëruar me provat e jashtëzakonshme të nevojshme. Në fakt, nuk është shoqëruar me asnjë lloj prove, burimi, apo reference.
Ekzistenca e një tuneli 1500 milje, apo 2400 km, të gjatë meriton skepticizëm.
Tuneli më i gjatë në botë është Ujësjellësi Delaware, i cili furnizon pjesë të New York me ujë, dhe është 137 km i gjatë. Tuneli mes Vatikanit dhe Jeruzalemit do të ishte 17 herë më i gjatë, nëse do të ekzistonte. Për më tepër, ai do duhej të kalonte nën detin Mesdhe.
Sa i përket videos së mësipërme, ka tregues se ajo mund të jetë gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale.
Gjeni më poshtë versionin e ngadalësuar të videos ku dallohet se si, teksa ‘kamera’ i drejtohet lingotave në të djathtë, ato deformohen, nga forma kuboide, që kanë edhe lingotat majtas, në një formë të çrregullt trapezoide.
Pretendimi se ekziston një tunel i mbushur me ar që lidh Vatikanin me Jeruzalemin është përgënjeshtruar edhe nga kolegët e Myth Detector dhe DPA Fact-check.