Pretendimi: Kjo video tregon aeroportin Ben Gurion në Izrael duke u sulmuar me raketa
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————–
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon aeroportin Ben Gurion në Izrael të përfshirë nga flakët dhe nën sulm raketash.
Siç vërrehet në imazhin e mësipërm, e para gjë që duhet ta bëjë lexuesin skeptik të dyshojë është prania e një xhamie (në të majtë) pranë aeroportit izraelit.
Pamje të jashtme të aeroportit Ben Gurion dhe pamjet nga harta konfirmojnë se nuk ekziston ndonjë xhami pranë tij.
Pamje ajrore e aeroportit Ben Gurion
Qartazi atëherë, video që po qarkullon në rrjete sociale nuk tregon aeroportin Ben Gurion në Izrael.
Gjithsesi, ende nuk dimë se çfarë tregon video.
Për të zbuluar këtë, kërkojmë për ndonjë shenjë identifikuese në video si targat e makinave, logo të ndryshme ose shenja rrugore.
Në këtë rast, na erdhi në ndihmë një emër i shkruar në një banderolë në njërën prej godinave në video: “Dar Al Fenoun”.
Një kërkim i shpejtë në Google na tregon se kompania e prodhimit të mermerit dhe granitit Dar Al Fenoun ndodhet në Zonën Industriale 15, Sharjah, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Me anë të Google Maps, kërkojmë nëse ka ndonjë xhami pranë kësaj adrese, si ajo që shfaqet në video.
Rreth 300 metra larg adresës së Dar Al Fenoun ndodhet xhamia Al Safwan.
Pamjet nga Google Earth na tregojnë një panoramë të ngjashme me videon, me të njejtat godina.
Sharjah në Google Earth (djathtas) dhe video që po qarkullon online (majtas)
Kështu, video që po qarkullon në rrjete sociale nuk tregon aeroportin Ben Gurion në Izrael, por një zonë industriale në Emiratet e Bashkuara.
Mbetet për tu verifikuar nëse Sharjah është sulmuar me raketa.
Një kërkim me fjalë kyçe zbulon se më 13 prill 2025, mediat vendase raportuan se “një zjarr shpërtheu në një magazinë frutash dhe perimesh në zonën industriale 15 të Sharjah.”
Në video të tjera të zjarrit në Sharjah, vërehen po të njejtat godina nga video që pretendohet se tregon aeroportin izraelit.
Video e zjarrit në Sharjah (djathtas) dhe video që po qarkullon online (majtas)
Video e zjarrit në Sharjah (djathtas) dhe video që po qarkullon online (majtas)
Gjasat janë që ‘raketat’ që duken në video janë shtuar me anë të programeve kompjuterike duke modifikuar videon origjinale.
Në mars 2025, grupi rebel Houthi nga Jemeni tha se kishte goditur një raketë balistike drejt aeroportit Ben Gurion pranë Tel Avivit. Forcat e Mbrojtjes së Izrelit (IDF) thanë se raketa u ndal para se të hynte në Izrael. Në momentin që u lëshua alarmi për sulme ajrore, aeroporti ishte i mbushur me pasagjerë të shumtë dhe dëshmitë e tyre si dhe pamjet filmike të transmetuara nuk kanë regjistruar një zjarr të përmasave të mëdha si ai në video.