Pretendimi: Ish-presidenti amerikan Barack Obama është nipi i Adolf Hitlerit, ndërsa ish-kancelarja gjermane Angela Merkel është e bija e Hitlerit

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i jashtëzakonshëm se diktatori nazist Adolf Hitler është i ati i ish-kancelares gjermane Angela Merkel dhe gjyshi i ish-presidentit amerikan Barack Obama.

Postimi i mësipërm pretendon se nëna e Obama, Stanley Ann Dunham ka lindur në Argjentinë dhe ishte e bija e Adolf Hitlerit. Kjo nuk është e mundur, pasi ajo ka lindur në Wichita (ShBA) në 1942, periudhë në të cilën Hitleri ishte në kulmin e pushtetit të tij në drejtimin e Gjermanisë naziste.

Sipas dokumentave zyrtarë, Dunham lindi në 29 nëntor 1942 në ShBA si fëmija i vetëm i Stanley Armour Dunham, një shitës mobiljesh dhe Madelyn Lee Payne, një punonjëse banke. Nuk ka asnjë të dhënë të besueshme se gjyshja e Obamës, punonjëse banke në Kansas të ketë patur mundësi të udhëtonte në kulmin e Luftës së Dytë Botërore në Gjermani apo ketë patur ndonjë lidhje në distancë me Adolf Hitler. 

Më tej, pretendohet, sigurisht pa asnjë provë, se Angela Merkel është e bija e Hitlerit.

Qartazi, nuk ka lidhje gjaku mes Angela Merkel dhe Adolf Hitler. Ish-kancelarja gjermane, e lindur në 1954 nga prindërit Horst dhe Herlind Kasner, nuk ka asnjë lidhje me diktatorin nazist, i cili vdiq pothuajse një dekadë para lindjes së saj, më 30 prill 1945.

Njësoj, nuk ka asnjë lloj marrëdhënieje mes Merkelit dhe ish-presidentit amerikan Barack Obama.

Në 2009, një grup studiuesish në SHBA publikuan dokumente që gjurmonin rrënjët gjermane në linjën e prejardhjes së nënës së Obama. Sipas të dhënave në databazën e gjenealogjisë Ancestry.com, stërgjyshi i gjashtë i Obama, Johann Conrad Woelflin, i lindur në Besigheim, një qytet i vogël në veri të Shtutgartit, mbërriti në ShBA në vitin 1750 duke sjellë në jetë linjën trashëgimtare nga buron Ann Dunham, nëna e Barack Obama.

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parëlajme të rreme mbi origjinën e Obama.