Pretendimi: Presidenti amerikan Trump ka deklaruar: “ Unë tashmë e klasifikoj BE-në si një vend të Botës së Tretë”
Verdikti: E paprovuar
————————————————————–
Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se në tryezën e negociatave për paqe në Ukrainë do të jetë vetëm ai dhe presidenti rus Putin, pa përfaqësues nga BE, shtete të cilët ai i ka klasifikuar “të Botës së Tretë.”
As postimi i mësipërm, as artikulli shoqërues, nuk ofrojnë ndonjë burim apo referencë se ku, kur dhe kujt Trump supozohet të ketë thënë këtë citim.
Duke kërkuar me fjalë kyçe në anglisht, Faktoje gjeti se ky pretendim e ka origjinën në një postim të 16 shkurtit në Twitter nga profili anonim @peacemaket71.
Ky postim citon median amerikane CNN si burim për këtë pretendim. Megjithatë, në faqen zyrtare të CNN, nuk gjendet asnjë intervistë apo artikull që përfshin një citat të tillë nga Trump.
Kontaktuar nga kolegët e France24, CNN konfirmoi se nuk kishte bërë ndonjëherë një intervistë të tillë me Donald Trump.