Pretendimi: Kjo video tregon hyrjen e anijes nukleare ruse në Havana
Verdikti: Video e ricikluar
Në rrjetet sociale në vendin tonë po qarkullon një video, ku pretendohet se një anije e fregatës “Admiral Gorshkov”, e dërguar nga Vladimir Putin, në klimën e tensionuar të kërcënimeve nukleare, po shkon në kryeqytetin e Kubës, pranë brigjeve amerikane.
“Në orët e ardhshme nëndetësja ruse dhe F/G do të jenë ‘një frymë larg’ nga brigjet e SHBA-së dhe më konkretisht në Kubë. Këto stërvitje vijnë vetëm pak ditë pasi Putin njoftoi se sistemet ruse të armëve do t’u jepeshin ‘armiqve të Perëndimit’ në mënyrë që shtetet Perëndimore të ‘paguhen me të njëjtën monedhë’, duke marrë goditje brenda territorit të tyre me armë ruse!”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në videon prej 28 sekondash shihet një anije, kqë pretendohet se po mbërrin në portin e Havanës. Ndërkohë, në pjesë të ndryshme të videos shihet edhe një flamur rus që valëvitet në pjesën e përparme të anijes. Klipi shoqërohet në sfond me muzikë instrumentale ushtarake.
Me anë të mjeteve të verifikimit të pamjeve konstuam se në fakt video daton që prej vitit 2019 dhe është publikuar asokohe nga “Associated Press” dhe korrespondon me mbërritjen e anijeve ruse në Kubë. “Anijet e marinës ruse hynë në portin e Havanës”, shkruante AP në vitin 2019 krahas videos.
Sipas raportimeve në mediat e huaja, anijet e tjera të paralajmëruara për të mbërritur në ujërat kubane janë, përveç fregatës Admiral Gorshkov, nëndetësja me energji nukleare “Kazán”, cisterna e naftës “Pashin” dhe rimorkiatori i shpëtimit “Nikolai Chiker”.
Gatishmëria e Rusisë për të dërguar anije në Kubë për të kryer stërvitje ushtarake ratifikon marrëdhënien e ngushtë politike midis të dy kombeve, e cila filloi në vitin 1961 kur Fidel Castro, lideri i Revolucionit Kuban, shpalli në atë kohë afrimin e tij me Bashkimin Sovjetik.
Përpos ruajtjes së këtyre raporteve, video e shpërndarë së fundmi nuk tregon mbërritjen e anijes ruse në kryeqytetin kuban. Verifikimet tregojnë se ajo qarkullon në internet që prej qershorit të 2019-s.