Pretendimi: Kjo foto tregon radhët e gjata në doganën e Kakavijës përpara vizitës së kryeministrit shqiptar në Greqi
Verdikti: Mungon konteksti
————————————
Të dielën, në 12 maj, kryeministri Rama nisi turin e tij të takimeve me diasporën shqiptare në Evropë nga Greqia. Në një marrëdhënie të ngrirë mes dy fqinjëve, dhe shprehjen hapur kundër të politikës greke, takimi i programuar në stadiumin ‘Galatsi’ në Athinë u realizua sipas planifikimit. Salla u mbush me mbi 6 mijë emigrantë shqiptarë, ndërkohë që delegacioni që udhëtoi nga Tirana kishte në përbërje mbi 100 ministra, deputetë dhe gazetarë.
Me interes të shtuar është ndjekur kjo vizitë e debatuar edhe në mediat online. Foto e radhës së gjatë të makinave në çfarë duket si një pikë doganore ndahet nga portali Sprint.al në Facebook, me pretendimin se ajo tregon pikën kufitare të Kakavijës, të dielën, ditën e vizitës së kryeministrit Edi Rama në Athinë.
Aludimi në këtë rast mund të jetë për një fluks në kalimin e kufirit nga qytetarët shqiptarë, të nxitur për të marrë pjesë si emigrantë në këtë takim të organizuar me diasporën në Greqi.
Megjithatë, motori i kërkimeve të imazheve Tineye tregon se foto e mësipërme qarkullon në rrjet të paktën që nga viti 2016.
Përdorimi i kësaj fotoje si të ishte e ditëve të fundit e nxjerr imazhin nga konteksti.