.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëE pavërtetë deklarata e Berishës për shitjen e energjisë 4 herë më lirë se bursa HUPX

E pavërtetë deklarata e Berishës për shitjen e energjisë 4 herë më lirë se bursa HUPX

Deklarata e Kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, se Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka shitur energji me çmim katër herë më të lirë se Bursa e Hungarsisë, është e pavërtetë. Nga një verfikim i Faktoje rezulton se çmimi i shitjes së energjisë nga KESH, për datat 22-24 nëntor, është tre herë më lirë se bursa HUPX.

Esmeralda Topi

“Sot po shesin energji me një çmimin katër herë më të ulët se ajo që po blejnë se janë kontratat. Nuk ka, janë verbuar, janë tërbuar.”- deklaroi më 21 nëntor Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha pasi vizitoi zonat e përmbytura në Shkodër.

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje vendosi të bëjë një verfikim mbi çmimin e shitjes së energjisë nga KESH.

Ftesë për Procedurë shitje të energjisë elektrike për periudhën 22-24 Nëntor 2022

Më 21 nëntor, KESH njoftoi shitjen e një sasie të vogël prodhimi, 8040 MWh energji të ndarë në tre lote. Referuar rezultateve të procedurës së shitjes, pjesa më e madhe e energjisë u shit me një çmim prej 73.19 Euro/ MWh. Ndërkohë, për dy lotet e tjera energjia u shit me çmim të ponderuar 101.88 Euro/ MWh dhe 100.75 Euro/MWh. Nga përllogaritjet rezulton se çmimi mestar për të gjithë procedurën e shitjes rezulton 82.36 Euro/MWh.

Rezultatet e procedurës së shitjes së energji elektrike për periudhën 22-24 Nëntor 2022

Nisur nga këto rezultate, Faktoje bëri një krahasim të çmimit të shitjes së energjisë nga KESH me çmimin e Bursës së Hungarisë, e cila përdoret si referencë për Shqipërinë.

Screenshot nga Bursa e Hungarisë, çmimi i energjise në datat 21-22 nëntor, sipas fashave orare

Krahasuar me Bursën e Hungarisë, çmimi i shitjes nga KESH është tre herë më i ulët, por jo katër herë sikurse deklaroi Z.Berisha. Më 21 nëntor çmimi i shitjes së energjisë në Bursën e Hungarisë në bazë rezulton 248 euro/ MWh ndërkohë që në pik 313 euro/ MWh.

Screenshot nga Bursa e Hungarisë

Po si shpjegohet kjo lloj diference në çmimin e shitjes së KESH krahasuar me Bursën e Hungarisë?

“KESH ka shitur për datën 22 nëntor në profilin e orës 00 dhe më pas 01 dhe 07. Çmimi për çdo orë është i ndryshëm. KESH del në treg për shitje për një sasi të caktuar për këtë profil të caktuar. Ofertat vijnë nga më e ulëta te më e larta dhe pranohet oferta më e lartë. Çmimi është mesatarja e ofertave që kanë ardhur. Pasi, për shembull në çmimin prej 82 euro/ MWh, ka një kosto shtesë transmetimi, ka një kosto marzhi të vetën si dhe shtohen taksat, që në çdo rast duhet të jetë poshtë bursës ose referencës në bursën, sepse përndryshe e blen direkt në bursë. Tashmë ka shumë prodhim për shkak të reshjeve. Nuk mund të shesin në orare të tjera pasi duhet për furnizimin në vend. Këto dy ditë ka pasur dhe një problem sepse HEC-et e vogla kanë ndërprerë prodhimin për shkak të problemeve të shkaktuara nga reshjet. Kur dalim për procedura optimizimi mund të shesim më shumë se bursa, kjo ndodh kur plotësojmë kërkesën në vend dhe kemi tepricë, ose kur kemi rezerva mund të shesim në pik dhe e blejmë natën”- argumenton për Faktoje një burim zyrtar pranë Korporatës.

Edhe nëse krahasimi bëhët me datën 22 nëntor sërish, çmimi i shitjes së KESH nuk rezulton katër herë më i lartë se Bursa HUPX, sikurse deklaroi kryedemokrati Berisha. Çmimi mesatar i energjisë në këtë datë rezulton 217 euro/ MWh.

Por përtej ballafaqimit të shifrave, ekspertët e energjisë e shohin problemin tjetërkund.

“KESH shiti 8048 MWh me një çmim 82 euro/ MWh, për arsye se në vendin tonë nuk kemi bursë funksionale të energjisë elektrike. Detyrohemi ta shesim kush e jep ofertën e parë ose përndryshe do hapen portat dhe uji do të ikë kot.”- argumenton për Faktoje, eksperti i energjisë Azmer Duleviç.

 “KESH shet energji për tregtarët në Shqipëri. Pra, derisa KESH nuk do të mund të dalë vetë në treg do të kemi këto probleme. Energjia do të shitet shumë më pak se tregu european dhe do të blihet më shtrenjtë. Gjithashtu në 8 vitet e fundit me rregullat e famshme të ERE-s ku KESH apo OSHEE paguan energjinë e blerë në treg pas 6 muajsh, numri i tregtarëve që bëjnë transaksione është reduktuar dhe kjo çon në këtë fenomen që kemi sot.”- shton Anita Shushku, inxhiniere konsulente në fushën e energjisë.

Ndërkohë, në një tjetër tender për datat 23-25 nëntor, KESH shiti 13.260 MWh energji me një çmim mesatar 202 euro. Referuar kësaj procedure, energjia u shit e ndarë në katër lote me çmim që varion nga 116. 14 Euro/ MWh deri në 246.23 Euro/ MWh energji. Po ashtu, për të njëjtat ditë KESH ka depozituar 14.700 MWh energji, të cilën sipas procedurës, do ta rimarrë në periudhën 1-30 qershor 2023.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img