Pretendimi: Rastet e kancerit po rriten për shkak të një virusi të gjetur në vaksinat anti-Covid.
Verdikti: E paprovuar
————————————————
Një artikull i portalit Mjekësia Bimore Arabe pretendon se rastet e kancerit po rriten për shkak të vaksinave anti-Covid.
Megjithatë, në brendësi të artikullit nuk jepet asnjë shifër, statistikë apo provë tjetër për ta mbështetur këtë pretendim.
Në vend të tyre, shpjegohet se një mikrobiolog me emrin Kevin McKernan ka zbuluar “praninë e promotorëve të virusit Simian (SV40) në vaksinën mRNA të Pfizer.” Artikulli shton se SV40 u zbulua të ishte kancerogjen për kafshët në 1961.
Edhe nëse merren të mirëqena si të vërteta, këto dy pretendime, edhe të marra bashkë, nuk provojnë apo tregojnë se rastet e kancerit po rriten si pasojë e vaksinës anti-Covid.
Vlen të përmendet se Kevin McKernan, së bashku me tre autorë të tjerë, botuan në 2023 një studim të pa-rishikuar nga kolegët, ku dolën në përfundimin se kishin gjetur një sekuencë gjenesh me origjinë nga virusi simian SV40 në vaksinën anti-Covid të Pfizer.
Megjithatë, sic shpjegojnë dhe vetë autorët, një nga kufizimet më domethënëse të këtij ‘studimi’ është se flakonet e testuar ishin me “prejardhje të panjohur”. Sipas autorëve, flakonët u ishin dërguar “në mënyrë anonime me postë dhe pa paketim të ftohtë”, por ishin “të pahapur.”
Kjo “prejardhje e panjohur” e flakonëve të testuar minon premisën më themelore të studimit, se flakonët në fjalë janë vërtet vaksina mRNA anti-Covid.
Më tej, edhe nëse marrim të mirëqenë që flakonët kanë qenë vërtet vaksina anti-Covid, nuk ka prova se SV40 shkakton kancer tek njerëzit.
SV40 është një virus që shfaqet edhe tek majmunët edhe tek njerëzit dhe është provuar të shkaktojë kancer tek disa kafshë.
Në vitet 1955-1963, llogaritet se 10-30% e vaksinave të poliomelitit në ShBA ishin kontaminuar me virusin SV40. Një numër studimesh epidemiologjike të mëpasshme kanë studiur popullatën që mori vaksinën e poliomelitit gjatë kësaj periudhe. Ato nuk gjetën ndonjë rrezik të shtuar të kancerit tek këto persona.
Gjithsesi, McKernan pretendon të ketë gjetur vetëm një pjesë të SV40 në flakonet e tij misteriozë, ndërsa rreziku i kancerit, edhe vetëm tek kafshët, lidhet me virusin e plotë. Vetë McKernan tha për Associated Press se “nuk është e njejta gjë si të gjesh të gjithë virusin SV40 në vaksinë.”