Pretendimi: Djali i jashtëligjshëm i mbretit Charles do marrë fronin pas abdikimit të tij
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Një artikull që ka qarkulluar së fundmi në mediat sociale shqiptare pretendon se mbreti i Britanisë së Madhe, Charles i III-të ka një fëmijë të jashtëligjshëm që do të marrë fronin e vendit pas abdikimit të mbretit. Këto, dhe pretendime të tjera brenda artikullit, të cilat janë bazuar në shpikjet e një astrologu në vitin 2005, janë tërësisht të pavërteta.
Artikulli në fjalë pretendon se Simon Dorante-Day është biri i paligjshëm i Charles dhe gruas së tij, Camilla. Dorante-Day është një burrë australian, i cili pretendon prej vitesh se i përket familjes mbretërore, por nuk ka asnjë provë që ta vërtetojë këtë deklaratë të tij. Ky pretendim është përhapur në mediat anglisht-folëse vetëm nga tabloide dhe portale thashethemesh që nuk kanë verifikuar pretendimet e Dorante-Day, i cili thotë se ka mbledhur provat vetë. Në fakt, Dorante-Day ka lindur ne vitin 1966, ndërsa Camilla dhe Charles janë takuar për herë të parë rreth vitit 1970. Ndërkohë motrat e Dorante-Day, që është adoptuar në fëmijëri, kanë hedhur poshtë pretendimet e tij.
Për më tepër, të vetmet prova që jepen në artikull janë pretendimet e pabaza të një astrologu, i cili ka interpretuar parashikimet e Nostradamus, duke dalë në përfundimin se Charles do abdikojë fronin dhe do të zëvendësohet nga djali i paligjshëm.
Parashikimet e astrologut francez Nostradamus, vijojnë të ngjallin interes prej viteve 1500. Profecitë e tij për evente kyçe në historinë e botës janë kryesisht tregime pa detaje specifike. Ky format i tyre u ka lejuar interpretuesve të ndryshëm që t’i përdorin ato si parashikime të sakta për të ardhmen.
Pra, këto parashikime për mbretin Charles dhe djalin e paligjshëm nuk kanë asnjë provë dhe mbeten vetëm spekulime. Nuk ka asnjë shenjë konkrete se pasardhësi i Charles do të jetë dikush tjetër përveç Princit Williams, djalit të parë të Charles me Princeshë Dianën.