.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE pabazë teoria e një tërmeti të qëllimshëm në Ekuador 

E pabazë teoria e një tërmeti të qëllimshëm në Ekuador 

Konspiracionistët vijojnë të lidhin çdo fatkeqësi natyrore me projektin eksperimental shkencor të quajtur HAARP. Së fundmi, ky projekt po fajësohet në rrjete sociale për tërmetin që goditi shtetin e Ekuadorit më 18 mars 2023. “Faktoje” shpjegon sërish pse pretendimi se sistemi HAARP është i aftë të shkaktojë tërmete.

———————————————————–

Menjëherë pasi një tërmet prej 6.8 ballësh goditi Ekuadorin në 18 mars, në internet filloi të riqarkullonte teoria konspirative që pretendon se tërmeti ishte shkaktuar, si ai në Turqi më 6 shkurt, me qëllim. 

Duke pretenduar se Ekuadori është anëtar i BRICS, grupimi i ‘ekonomive në rritje’ që përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën, dhe Afrikën e Jugut, ky postim e pozicionon shtetin e Ekuadorit si pjesë e një aleance që konsiderohet ‘anti-amerikane’, duke nënkuptuar kështu se kjo ishte arsyeja që Ekuadori u ‘shënjestrua’ nga tërmeti.

Vlen të përmendet këtu që Ekuadori nuk është pjesë e BRICS.

Sa i përket pretendimit se tërmeti në Ekuador u shkaktua qëllimisht si ‘hakmarrje’ nga ShBA apo Perëndimi, “Faktoje” ka hasur dhe më parë teorinë se tërmeti që vrau mijëra persona në Turqi në 6 shkurt 2023 ishte një ‘hakmarrje’ nga ShBA për kërcënimin e Turqisë për të dalë nga aleanca ushtarake e NATO-s. Kjo teori mbështet çuditshëm shkaktimin e tërmetit nëpermjet përdorimit të sistemit HAARP.

Siç “Faktoje” ka shpjeguar dhe më parë, HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane në vitin 1993, dhe i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015. Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi gati hyjnore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve, sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West,  “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoi se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

Ndërsa profesor Bruce Malamud nga King’s College në Londër tha se “nuk ka lidhje të besueshme apo të mundura mes HAARP dhe shkaktimin e tërmeteve të çfarëdo shkalle, duke përfshirë tërmetin tragjik më të fundit në Turqi në 6 shkurt 2023. HAARP është një program kërkimor përkushtuar studimit të jonosferës, që është pjesë e atmosferës së sipërme të Tokës (rreth 48 deri në 965 km mbi nivelin e detit). Nuk ka një mekanizëm të njohur fizik me anë të të cilit HAARP mund të ketë shkaktuar tërmete, dhe çdo pretendim për ndonjë lidhje të tillë qëndron jashtë fushëveprimit të shkencave natyrore. Përkrahësit e ekzistencës së një lidhje të tillë, si konspiracionistët, duhet të shpërfillen dhe pretendimet e tyre duhet të trajtohen si lajme të rreme.”

Megjithatë, tërmetetshkaktohen nga veprimtaria njerëzore janë reale, megjithëse zakonisht të shkallëve të ulëta. Ato shkaktohen shpesh nga nxjerrja apo futja e lëngjeve nga/në thellësi të Tokës, veprimtari që janë pjesë e procesit të shfrytëzimit të minierave dhe nxjerrjes së gazit dhe naftës.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img