Pretendimi: Forumi Ekonomik Botëror (WEF) po përpiqet të vrasë politikanin rumun Calin Georgescu.

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se Forumi Ekonomik Botëror (WEF) po përpiqet të vrasë politikanin rumun Calin Georgescu.

Si zakonisht, teksti që përbën postimin nuk përmban ndonjë provë për këtë pretendim të jashtëzakonshëm.

Postimi duket se është një përkthim shkel e shko e një artikulli në anglisht, i cili i referohet një artikulli të botuar më 8 dhjetor në portalin amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch

Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Artikulli i The People’s Voice nuk jep ndonjë provë për pretendimin se WEF do të heqë qafe Georgescu, por vetëm citon një “njeri të brendshëm të WEF”. Ky i fundit pretendohet të ketë paralajmëruar se Georgescu ishte në listën e atentateve politike të WEF, dhe të ketë parë një memo të WEF që planifikonte të hiqte qafe politikanin rumun publikisht, siç kanë hequr qafe shumë liderë të tjerë botërorë.

Sigurisht, as kjo memo, as ndonjë dokument tjetër që do të përbënte provë për këto pretendimi nuk është bërë publik nga ky sinjalizues brenda WEF.

Kandidati i pavarur ultranacionalist Călin Georgescu dhe reformistja Elena Lasconi dolën në vend të parë dhe të dytë, respektivisht, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani më 24 nëntor. Ata duhej të përballeshin sërish në raundin e dytë më 8 dhjetor. Megjithatë, më 6 dhjetor Gjykata Kushtetuese e Rumanisë anuloi të gjithë procesin e zgjedhjeve presidenciale, duke cituar mandatin e saj kushtetues për të garantuar ligjshmërinë dhe drejtësinë e procedurave zgjedhore. Gjykata ka urdhëruar rinisjen e procesit nga e para. Vendimi erdhi mes raporteve të deklasifikuara kohët e fundit që pretendojnë përfshirjen ruse në aktivitete kibernetike që synojnë minimin e integritetit të procesit zgjedhor.

Dokumentet e bëra publike më 4 dhjetor sugjerojnë se Georgescu mori financim të jashtëm të padeklaruar dhe përfshiu aktorë shtetërorë në fushatën e tij, e cila u krye kryesisht në internet në platformën TikTok.