Pretendimi: Toka është e mbuluar nga një kupolë

Verdikti: E pavërtetë

——————————-

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se Toka është e mbuluar nga një kupolë e tejdukshme, siç tregohet edhe nga një video që duket se tregon një raketë të lëshuar drejt qiellit teksa ndalon sepse ‘godet kupolën’.

Video e bashkangjitur postimit, që duket se tregon një raketë të godasë kupolën qiellore, është postuar disa herë më parë në Youtube.

Megjithatë, Jason Steffen nga Universiteti i Nevada, Las Vegas tha për Reuters se video nuk tregon një raketë duke goditur një kupolë. 

Në momentin kur duket sikur raketa godet kupolën dhe ndalon së rrotulluari “duhet të ketë patur ndonjë mekanizëm që ngadalëson rrotullimin,” tha Steffen. “Kjo mund të bëhet me kundërpesha (për shembull, sateliti Kepler kishte disa). Kur kundërpeshat lëshohen, mund të presësh disa vibrime (tinguj) dhe një ngadalësim i papritur i rrotullimit të mjetit hapësinor.”

Video në fjalë duket se tregon një hedhje rakete në 2014 nga Ekipi Civil i Eksplorimit Hapësinor (CSXT). Një video thuajse identike është ngarkuar në Youtube nga CSXT, por ajo nuk përmend se raketa ka goditur ndonjë kupolë. Në fakt, vërejti Steffen, në video mund të duket kurbatura e Tokës, një pamje nga hapësira, përtej kufijve të ndonjë kupole.

Steffen shtoi se “nëse raketa do të kishte goditur papritur një kupolë, do të ishte shkatërruar krejtësisht.”

Lora Bleacher nga Qendra e Fluturimit Hapësinor Goddard të NASA tha për Reuters se “NASA ka dërguar mjete hapësinore larg në sistemin diellor dhe përtej, dhe nuk kemi hasur ndonjë kupolë.” Foto të Tokës të kapura nga hapësira, në të cilat nuk duket ndonjë kupolë, mund të shihen këtu.