Pretendimi: Toka është e sheshtë pasi lumi Nil nuk mund të rridhte drejt lartësive
Verdikti: E pavërtetë
Teoria e “tokës së sheshtë” që propagandohet në rrjetet sociale është e vjetër sa vetë toka. Si një argument në mbështetje të kësaj teorie për formën e planetit po përdoret së fundmi edhe një pikëpyetje që mund të gjejë lehtësisht përgjigje nga njohuritë e deritanishme shkencore: Si mundet lumi Nil të rrjedhë lirisht nëse toka është e rrumbullakët dhe ujit i duhet të ngjitet në lartësi?
Pyetja në këtë postim shoqërohet me një imazh të globit të rrumbullakët, ku rrjedha e Nilit, lumit më të gjatë të Afrikës, ngjan se përshkruan një trajektore harkore.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove shihet se imazhi ka qarkulluar në disa media sociale në shtete të tjera, ku mbështetet ideja e tokës së sheshtë.
Përgjigja për këtë problem për librat e shkollës 9-vjeçare, gjendet në mënyrën si funksionon graviteti në tokë dhe shkalla e madhësisë që paraqiten objektet në një hartë të planetit.
Lumi Nil është rreth 6.650 kilometra i gjatë dhe pellgu i tij kullues mbulon mbi 11 vende në Afrikë. Burimi i tij është Liqeni Viktoria, në një lartësi prej 3,724 këmbësh, ose 3,955 milje nga qendra e Tokës. Sipas studiuesve, ai rrjedh 4,258 milje në veri deri në fundin e tij në Aleksandri, Egjipt, në një lartësi prej 16 këmbësh, ose rreth 3,954 milje në qendër të Tokës.
Totali nga fillimi në fund të rrjedhës është 3,708 këmbë – pak më pak se tre të katërtat e një milje me afërsisht 0,87 rënie këmbë për milje mesatarisht (3,708 pjesëtuar me 4,258 = 0,87). Në këtë përllogaritje, mund të kuptohet përse ndikimi i lakimit të Tokës nuk ka asnjë efekt.
Gjithashtu, forca gravitacionale vepron njësoj në çdo pjesë të globit, e orientuar drejt qendrës së tokës.
Graviteti bën që ujin të mbushë shtratin e lumit ndërsa ndryshimi i kuotës së lartësisë, e përllogaritur në metra mbi nivelin e detit, mundëson rrjedhjen e ujit drejt pikës më të ulët.
Gjithçka në planet tërhiqet nga qendra, pa marrë parasysh se ku mund të vendoset në sipërfaqe. Rrjedhimisht, nuk ka rëndësi nëse një lumë rrjedh nga jugu në veri, nga lindja në perëndim apo çdo drejtim tjetër.
Të dhënat e NASA (Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës, pjesë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës) dëshmojnë se toka është e rrumbullakët.
“Njerëzit e dinë që Toka është e rrumbullakët prej më shumë se 2000 vitesh. Grekët e lashtë matën hijet gjatë solsticit të verës dhe gjithashtu llogaritën perimetrin e Tokës. Ata përdorën pozicionet e yjeve dhe yjësive për të vlerësuar distancat në Tokë. Ata madje mund të shihnin hijen e rrumbullakët të planetit në hënë gjatë një eklipsi hënor. Ne ende mund ta shohim këtë gjatë eklipseve hënore.
Sot, shkencëtarët përdorin gjeodezinë, e cila është shkenca e matjes së formës, gravitetit dhe rrotullimit të Tokës. Gjeodezia ofron matje të sakta që tregojnë se Toka është e rrumbullakët”, argumenton NASA.
Faktoje ka verifikuar një sërë pretendimesh mbi teoritë konspirative se toka është e sheshtë.