Pretendimi: Kjo video tregon momentin kur presidenti Trump firmos heqjen e non-grata për Sali Berishën
Verdikti: E pavërtetë, video e manipuluar
Në rrjetet sociale në vendin tonë po qarkullon lajmi se presidenti amerikan Donald Trump ka firmosur urdhrin për heqjen e ‘non grata’ ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha.
“Momenti i heqjes së non-grata për Sali Berishën”- përshkruan teksti që shoqëron videon e publikuar nga një përdorues në Instagram.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në video duket Donald Trump duke firmosur një dokument në zyrën ovale. Pamjet nisin me një audio ku dëgjohet dikush duke pyetur në anglisht nëse ky është një dokument për heqjen e ‘non grata’ të ish-presidentit Sali Berisha.
Presidenti Trump përgjigjet duke firmosur: “Njerëzit kanë pritur për vite të tëra dhe gjithçka do të zbulohet”.
Një kërkim në motorin e verifikimit të Google Lens konfirmon se pamjet janë të vërteta, por audio është shtuar mbi pamjet origjinale për të krijuar idenë se firmosja ka lidhje me non-gratën e Berishës. Kjo është edhe arsyeja përse anglishtes në zërin që pyet presidentin Trump i mungon theksi i dikujt që e ka gjuhën e tij të parë.
Montazhi është publikuar në rrjet pas konfirmimit të kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha se ai do të kërkojë rishikimin e shpalljes non-grata nga presidenti i ri amerikan.
Ndërkohë, deklarata e Trump në video përputhet me momentet e firmosjes në 23 janar të urdhërit ekzekutiv për publikimin e të gjitha dokumenteve të klasifikuara të FBI dhe CIA të lidhura me tre nga atentatet më të rëndësishme në historinë e SHBA-së, vrasjet e John F. Kennedy, Robert F. Kennedy dhe Martin Luther King Jr.
“Shumë njerëz e kanë pritur këtë për një kohë të gjatë,” tha Trump për gazetarët në Zyrën Ovale gjatë firmosjes së dokumenteve. “Dhe gjithçka do të zbulohet.”
Urdhri u kërkon zyrtarëve të lartë të administratës të paraqesin një plan për deklasifikimin e dokumenteve brenda 15 ditëve. Megjithatë, kjo nuk e bën të sigurt që kjo do të ndodhë.