Pretendimi: Tifozët rumunë brohoritën pro Putin gjatë ndeshjes kundër Ukrainës
Verdikti: E pavërtetë
Tifozët rumunë nuk brohoritën pro Putin gjatë ndeshjes kundër Ukrainës, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë.
Më 17 qershor, në rrjetet sociale në vendin tonë është publikuar një video, ku një grup tifozësh në stadium, veshur me të verdha dëgjohen duke thirrur emrin e liderit rus, Vladimir Putin. Pamjet shoqërohen me një koment, ku pretendohet se video është regjistruar gjatë ndeshjes mes Ukrainës dhe Rumanisë zhvilluar në Gjermani, në kuadër të Kampionatit Europian të Futbollit.
“#Putin Tifozët rumunë në ndeshjen Rumani-Ukrainë…”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale krahas videos së publikuar.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në një kërkim të bërë në lidhje me këtë video, konstatuam se është publikuar fillimisht në një llogari në rrjetin X, që mban emrin Lord Bebo. Ajo që vihet re është se deri më tani ky postim ka 1.9 milionë shikime.
Verifikimet e kryera nga kolegët e AFP tregojnë se pamjet janë reale, pra i përkasin tifozëve rumunë gjatë ndeshjes kundër Ukrainës, por audio është e manipuluar. Thirrjet në kor “Putin, Putin” i përkasin një video të regjistruar gjatë një ndeshje nga kampionati i mëparshëm evropian, i luajtur më 21 qershor 2021 në “Arena Națională në Bukuresht”, midis Austrisë dhe Ukrainës.
Në fakt, në videon e vitit 2021, disa fansa ukrainas këndojnë në kor, duke lëshuar fyerje kundër Putinit. Më pas audioja e vitit 2021 u pre, duke lënë vetëm pjesën e korit me “Putin, Putin” pa fyerje dhe u fut në videon e tifozëve rumunë në Kampionatin Evropian 2024.
E kontaktuar nga kolegët e AFP, UEFA, organi administrativ dhe mbikëqyrës i futbollit europian, që organizon Kampionatin Europian të Futbollit dhe që heton edhe sjelljen problematike të tifozëve gjatë ndeshjeve, konfirmoi se videoja e publikuar në internet është false.
Një tifoz rumun i pranishëm në stadiumin afër pikës ku dyshohet se ka ndodhur brohoritja pro Putinit, e hodhi poshtë këtë lajm të pabazuar. Media franceze AFP, e cila kishte fotografë dhe gazetarë në stadium gjatë ndeshjes raportoi se nuk kishin dëgjuar një thirrje të tillë.