.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE manipuluar video e shpërthimit të kullave binjake pa u sulmuar nga avionët

E manipuluar video e shpërthimit të kullave binjake pa u sulmuar nga avionët

Një video e shkatërrimit të Kullave Binjake më 11 shtator 2001 në të cilën nuk duken avionët e marrë peng nga terroristët po qarkullon në internet si ‘provë’ se sulmi terrorist ishte i stisur. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video në fjalë është e manipuluar

——————————————–

Edhe këtë vit, përvjetori i sulmit terrorist mbi Kullat Binjake në 11 shtator 2001 ringjalli një sërë teorish konspirative në rrjet. 

Një teori shumë e përhapur është ajo që pretendon se shkatërrimi i kullave binjake nuk erdhi si pasojë e përplasjes së avionëve të pasagjerëve që u morën peng nga terroristët në 11 shtator 2001. Si ‘provë’ për këtë, konspiracionistët po shpërndajnë një video që tregon shpërthimin në Kullën Jugore. Në këtë video nuk duket avioni që shkaktoi shpërthimin.

Pamje nga video që po qarkullon në rrjet

Me anë të motorëve të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search dhe Tineye, Faktoje arriti të gjejë videon origjinale në Youtube. Ajo është xhiruar nga fotoreporteri i WPIX-TV, Keith Lopez.

Në videon origjinale, avioni që shkakton shpërthimin në Kullën Jugore duket qartë.

Video origjinale

Video origjinale (majtas) dhe ajo e manipuluar (djathtas)

Lopez tha për AFP se ishte i tronditur që filmimi i tij ishte keqpërdorur në këtë mënyrë. “Jam i neveritur nga fakti që dikush do e bënte këtë. Megjithëse është një modifikim i mirë, të qenit të aftë për të gënjyer pa patur asnjë arsye përveç marrjes së më shumë pëlqimeve apo ndjekësve është jashtëzakonisht e ulët në shkallën njerëzore të dinjitetit,” tha ai.

Në pamjet e transmetuara nga CNN më 11 shtator, duket qartë avioni që godet Kullën Jugore, dhe shpërthimi që pason.

Në rrjet ekzistojnë qindra foto dhe video që tregojnë avionin United Airlines Flight 175 duke u përplasur me Kullën Jugore.

“Faktoje” ka përgënjeshtruar edhe më parë pretendime të rreme mbi 11 shtatorin 2001.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img