Pretendimi: Kjo video tregon se përmbytjet në Spanjë janë shkaktuar qëllimisht duke goditur retë
Verdikti: Video e manipuluar
—————————————————————
Në hapësirat konspiracioniste po qarkullon një video që duket se tregon një re që goditet nga një raketë dhe më pas shpërbëhet në formë shiu duke rënë mbi tokë. Kjo video sillet si provë se përmbytjet që kanë vrarë mbi 200 persona në Spanjë janë rezultat i “kontrollit të motit.”
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar në internet që në korrik, tre muaj përpara përmbytjeve të 29 tetorit në Spanjë.
Më tej, video është postuar në TikTok nga përdoruesi @kendis.fx, i cili e ka etiketuar atë “vfx”, që është shkurtim për “efekte vizuale”. Në profilin e tyre në TikTok dhe Youtube, kendis.fx vetëpërshkruhet si artist vizual.
Në komentet e videos në fjalë, kendis.fx sqaron se videon e ka krijuar me Blender dhe Natron, dy programe kompjuterike që përdoren për të krijuar grafika dhe efekte vizuale.
Përmbytjet e tetorit 2024, nga më vdekjeprurëset në historinë e Spanjës, u shkaktuan nga reshje të rrëmbyeshme. Sipas një analize të shpejtë paraprake nga shkencëtarët e nismës World Weather Attribution, ndryshimet klimatike janë “shpjegimi më i mundshëm” për intensitetin e reshjeve. Ata zbuluan se ngrohja globale, e nxitur nga ndotja nga karburantet fosile, i bëri reshjet e rrëmbyeshme që goditën Spanjën rreth 12% më të rënda dhe dy herë më të mundshme.
Një studim nga Climate Central gjeti se ndryshimi i klimës gjithashtu i bëri temperaturat e ngrohta të Oqeanit Atlantik që nxitën shiun e dendur 50 deri në 300 herë më të mundshme.
Oqeanet më të nxehtë i japin më shumë energji stuhive, sepse ajri më i ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi, duke e thithur atë si sfungjer për ta shtrydhur më pas në formën e shiut të rrëmbyeshëm.
“Në kontekstin e ndryshimeve klimatike, këto lloj reshjesh intensive të rralla dhe të jashtëzakonshme do të bëhen më të shpeshta dhe më intensive dhe, për rrjedhojë, më shkatërruese”, tha Ernesto Rodríguez Camino, nga Shoqata Spanjolle Meteorologjike.