.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE manipuluar telefonata e Obamës që provon përfshirjen në atentatin ndaj Trump

E manipuluar telefonata e Obamës që provon përfshirjen në atentatin ndaj Trump

Pretendimi: Zbulohet një bisedë telefonike që tregon se udhëheqja e Partisë Demokratike të ShBA është prapa atentatit kundër Donald Trump

Verdikti: E paprovuar

——————————————————

Në fillim të gushtit, në rrjet qarkulloi lajmi se Partia Demokratike e ShBA ishte përgjegjëse për atentatin ndaj ish-presidentit dhe kandidatit republikan për president Donald Trump më 13 korrik. Si provë për këtë, sillet edhe një klip 22-sekondësh i bisedës së pretenduar mes ish-presidentit amerikan Barack Obama dhe ish-këshilltarit të tij David Axelrod.

Në klipin e mësipërm dëgjohet një zë që i ngjason atij të Obamës të thotë: 

“Rënia e tij nuk ishte arsyeja që ai u largua. Unë di gjithçka për armiqësinë tuaj të ndërsjellë, por më lër të të them se ai nuk po largohet për shkak të degradimit të tij mendor. Ai dhe ekipi i tij u dëbuan sepse nuk arritën të hiqnin qafe Trump. Ishte mundësia e tyre e vetme dhe këta idiotë e humbën. Sikur të mund të hiqnin qafe Trump, ne do të siguronim fitoren e tyre kundër çdo kandidati republikan.”

Me avancimin e teknologjisë, nuk mund të mjaftohemi vetëm duke i besuar veshëve. Duhet futur në punë mendimi kritik.

Një skandal i këtyre përmasave, nëse do të kishte prova të besueshme, do të bënte xhiron e mediave kombëtare dhe ndërkombëtare. Megjithatë, asnjë media kryesore nuk ka raportuar mbi të. Lajmi i skandalit të madh qarkullon, me të njejtin tekst copy-paste dhe nganjëherë të përkthyer automatikisht, vetëm në rrathët konspiracionstë në Twitter dhe llogaritë pro-Kremlin në Telegram.

Një nga këto llogari, Putin on Telegram, duket se ka qenë edhe burimi i datës së raportuar të bisedës, 22 gusht. Në mënyrë absurde, postimi i tyre në 5 gusht pretendonte se biseda e botuar kishte ndodhur në 22 gusht. Më pas, ky postim u korigjua me datën 22 korrik, por lapsusi i 22 gushtit mbetet në postimet e kopjuara në rrjet, nje tregues i hershëm se ky ‘lajm’ është i sajuar.

Si burim për këtë lajm citohet një artikull nga Deep State Leaks (faqja nuk ekziston më por është arkivuar këtu). Sipas këtij artikulli, një bisedë 15-minutëshe mes ish-këshilltarit David Axelrod dhe ish-presidentit Obama iu dërgua Deep State Leaks nga një punonjës i Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC), identitetin e të cilit autorët nuk po e zbulojnë “ende.”

Deep State Leaks premtoi se do të publikojë një sërë artikujsh në të ardhmen dhe vetëm në atë të fundit do të botojë bisedën e plotë, por për momentin po poston vetëm tre fragmente. Fragmenti i parë u shndërrua në videon e mësipërme dhe u shpërnda në kanalet Telegram në gjuhën ruse.

Deep State Leaks nuk është një projekt investigativ apo një botim socio-politik, por një faqe interneti. Në kohën e botimit të këtij shkrimi kjo faqe është jo-funksionale. Ky burim nuk ka seksion “Rreth nesh”, nuk ka emra të punonjësve, nuk ka rrjete sociale të projektit. Faqja deepstateleaks.org është regjistruar më 18 korrik 2024.

Kolegët e Provereno.media verifikoi origjinën e tre regjistrimeve të publikuara në këtë faqe duke përdorur mjete për identifikimin e përmbajtjes së krijuar nga inteligjenca artificiale nga kompania Hive. Kjo tregoi se probabilitet 100% të tre audiot janë krijuar duke përdorur rrjete neurale (AI). 

Krijimi i audiove të tilla nuk do është i vështirë, pasi mijëra regjistrime të zërit të Obamës janë publike dhe mund të përdoren si mostra për të gjeneruar audio artificiale me zërin e tij. 

Shumë faqe në internet ofrojnë për qëllime argëtimi shërbime falë të cilave çdo tekst mund të shqiptohet nga zëri i ish-presidentit amerikan. Faktoje gjeneroi mesazhin e mëposhtëm me anë të njërit prej këtyre shërbimeve.

Mos besoni gjithshka që lexoni në internet! Lexoni Faktoje për mos t’u mashtruar!” – Barack Obama

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img