Pretendimi: Skocezët e fyen ambasadoren izraelite në Britani, Tzipi Hotovely duke vendosur këtë tabelë

Verdikti: Foto e manipuluar


Imazhi i një tabele që duket se mirëpret vizitorët në Skoci dhe fyen ambasadoren izraelite në Britani Tzipi Hotovely po qarkullon në rrjet me pretendimin se tabela ishte vendosur nga banorët e Skocisë pasi Hotovely njoftoi se do të vizitonte shtetin.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se imazhi i mësipërm është version i një shakaje që ka vite që qarkullon në rrjet.

Imazhi i mësipërm është modifikuar duke i shtuar fjalinë që ofendon ambasadoren Hotovely, siç është modifikuar edhe më parë për të fyer ish-liderë britanikë si Theresa May, David Cameron, dhe Boris Johnson.

Këndi i fotos, retë në sfond, dhe prania e të njejtës makinë të zezë në të njejtin vend në rrugë dëshmojnë se të gjitha imazhet e mësipërme janë modifikime të të njejtës foto.

Faktoje nuk arriti të gjejë foton origjinale në rrjet, kështuqë vendosëm të gjejmë tabelën origjinale.

Duke u bazuar në emrat e tabelës së gjelbër në sfond, gjetëm se ajo ndodhet në rrugën A7 që lidh Anglinë dhe Skocinë, pranë pikës kufitare Carlisle.

Vëmë re se tabela e gjelbërt është e njejta si në foto, por tabela blu nuk i përngjason asaj në video. Megjithatë, kjo pamje nga Google Street View është nga viti 2021. Nëse zgjedhim të shohim pamje të po të njejtit vend nga viti 2009, shohim tabelën blu nga imazhi viral.

Këtu shihet qartë se tabela origjinale përmban fjalinë “Mirëseerdhët në Skoci” në gjuhën angleze dhe në gaelishten skoceze.

Pra, tabela e mësipërme jo vetëm që nuk fyen Hotovelyn, por as nuk ekziston më. Ajo është zëvendësuar nga një version i ri.

Sa i përket vizitës së ambasadores Hotovely, media skoceze Glasgow Times raportoi më 4 qershor se ajo u anullua pas protestave të një grupi hebrenjsh skocezë. Ambasada izraelite tha se shkak për anullimin ishte një mospërputhje oraresh.