Pretendimi: Kjo foto e shkretëtirës algjeriane po shitet si pamje nga sipërfaqja e planetit Mars 

Verdikti: Foto e manipuluar

—————————————————–

Një imazh i postuar nga publicisti Alfred Cako duket se tregon dy peisazhe pothuajse identike, njëra pretendohet nga Marsi dhe tjetra nga Algjeria.

Në imazhin e sipërm, në peisazh duken dy objekte, roveri Perseverance dhe helikopteri Ingenuity. Megjithatë, këto dy objekte janë kopjuar nga një ilustrim i NASA dhe janë mbivendosur në peisazh. 

Ky manipulim është bërë shkel e shko, duke mos marrë parasysh përmasat reale të këtyre dy objekteve. Në imazh, dy objektet duken sikur kanë të njejtën madhësi, ndërsa në realitet Perseverance është 2.7 m i gjatë dhe Ingenuity është më pak se 60 cm i gjatë.

Krahasim mes përmasave reale të dy objekteve hapësinore

Krijuesi i imazhit nuk ka marrë parasysh faktin që është e pamundur të shkrepësh një foto të tillë në Mars. Aktualisht janë pesë rovera të NASA që veprojnë në sipërfaqen e Marsit. Secili prej tyre është ndërtuar posaçërisht për të studiuar veçori të caktuara të planetit. I vetmi rover tjetër në veprim përveç Perseverance është Curiosity, i cili u hodh në vitin 2012. Ai ndodhet afërsisht 3700 km nga vendi i uljes së Perseverance në Kraterin Jazzer

Fotot e vetme që tregojnë dhe Ingenuity dhe Perseverance janë bërë me kamerën e montuar në krahun e roverit më të fundit të NASA. Në këtë mënyrë, roveri Perseverance ishte në gjendje të bënte një selfie me helikopterin Ingenuity aty pranë.

Selfie e Perseverance dhe Ingenuity (në sfond) në Mars

Foto që pretendohet se tregon Marsin nuk mund të gjendet në faqen e NASA apo të agjensisë hapësinore kineze (CNSA), të vetmet agjensi që kanë dërguar rovera në Mars. Asnjë nga këto agjensi nuk e ka prezantuar këtë foto si pamje nga Marsi.

Fotografi Gregory Rohart konfirmoi për AFP se ai kishte shkrepur vërtet foton e poshtme në Algjeri, më 6 janar 2009. “Unë e bëra këtë foto në Algjeri duke ecur në shkretëtirën Tadrart,” shpjegoi ai. “Si fotograf, padyshim që nuk më pëlqen që një nga fotot e mia të përdoret pa marrëveshjen time, dhe aq më pak që ajo të devijohet nga kuptimi i saj origjinal.”

Foto e “Marsit” dukshëm është prodhuar duke manipuluar foton e Rohart. Kjo vërrehet në hijet që janë të njejta në dyja imazhet.