Pretendimi: Sali Berisha dhe Chris la Civitas u përplasën me njëri-tjetrin pas humbjes së PD-së
Verdikti: Gjeneruar me AI
Një video, ku shfaqet kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe strategu i fushatës së tij elektorale, Chris la Civitas, duke u goditur me grushta, qarkullon së fundmi në rrjete sociale duke u interpretuar si një përplasje fizike mes të dyve pas humbjes në zgjedhje të Partisë Demokratike.
Videoja është shpërndarë në të gjitha rrjetet sociale nga faqe të ndryshme.

Një verifikim i pamjeve tregon se videoja në të vërtetë është e manipuluar me inteligjencë Artificiale.
Faktoje kërkoi përmes motorrit të kërkimit Google Lens dhe gjeti videon orgjinale. Ajo është xhiruar në datën 7 Shkurt 2025 gjatë një takimi të opozitës. Në fund të videos në minutin 12:46 të videos duket qartë se Sali Berisha dhe Chris la Civitas i japin dorën njëri tjetrit përpara se të largohen nga salla.

Pikërisht ky moment është përdorur dhe modifikuar përmes Inteligjencës Artificiale për t’u dukur sikur Berisha dhe La Civitas po goditen me njëri-tjetrin.
Një tjetër tregues që videoja është e modifikuar me AI janë edhe pamjet e shformuara të gjymtyrëve apo të fytyrave. Sic duket në disa momente të videos, duart apo fytyrat e protagonistëve të videos shfaqen plotësisht të shformuara.


Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.