Në regjistrat e fluturimeve të ‘Lolita Express’ të pedofilit Jefrey Epstein nuk janë emrat e Joe Biden, John McCain, Barack Obama, Hillary Clinton apo Papa Françeskut. Faktoje verifikoi se disa prej emrave të politikanëve janë shtuar qëllimisht në listat që qarkullojnë që prej vitit 2015.
Një seri e re pretendimesh të rreme po qarkullon në rrjet pasi një dosje e procesit ndaj skandalit të pedofilit Jefrey Epstein u bë publike në fillimin e vitit nga Gjykata e Qarkut të SHBA në Nju Jork.
Përdoruesit e Facebook po ndajnë një listë me mbi 186 emra që pretendohet se ishin pjesë e festave me të mitura të mikut të pasur të politikanëve, Jefrey Epstein.
“Të gjithë këtyre vipave që u ka dal emri tek lista e Epstein si përdhunues, dhunues dhe torturues së fëmijëve të mitur, pse nuk dalin të bëjnë video dhe të mohojnë atë që po shkruhet dhe tregohet për ta, sikurse dolën dhe bënë video për Covidin per t’u vaxinuar popujt me radhe pa e menduar dy herë?”-thuhet në një nga këto postime në Facebook.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Pikëpyetja shoqëron një foto të një liste, ku shihen edhe emrat e presidentit Joe Biden, ish-presidentëve Barack Obama dhe Bill Clinton, por edhe Papa Françesku, John McCain, kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe shumë udhëheqës të tjerë të njohur.
Rikthimi i prozhektorëve në skandalin e Epstein është rrjedhojë e dokumentave të publikuara më 3 dhe 4 janar nga Gjykata e Qarkut të SHBA-së në Nju Jork. Megjithatë, në 943 faqet e dosjes së publikuar përmenden vetëm emrat e figurave publike në lidhje me një padi të ngritur nga një grua që pretendonte se ishte trafikuar nga Epstein. Emrat përfshijnë disa individë që mund të mos kenë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me Epstein, por janë diskutuar si dëshmitarë të mundshëm.
Lista me 186 emrat, nga verifikimet e kryera nga kolegët e mediave të huaja, me përjashtim të emrit të ish-presidentit Bill Clinton, është e rreme.
Regjistrat e fluturimit të shkruara me dorë nga piloti David Rogers u morën nga gazetarët në janar 2015 pasi ato u depozituan në një padi federale. Në këtë link mund të gjenden listat e plota dhe aty nuk figurojnë emrat e tjerë, përveç atij të Clinton, i cili duket se ka fluturuar 27 herë me Boeing 727 të Epstein.
Thashethemet për një listë të “klientëve” të financierit të vdekur pedofil kanë qarkulluar në internet prej vitesh. Përpara se të vriste veten në vitin 2019, teksa priste gjyqin për akuzat për trafikim seksual, Epstein akuzohet se rekrutoi dhe abuzoi me rreth 150 vajza dhe gra, të cilat më pas i bënte pjesë të udhëtimeve dhe festave luksoze. Ai gjithashtu kishte njohje me njerëz në elitën e shoqërisë dhe fuqisë botërore, duke përfshirë Bill Clinton, Donald Trump, Princ Andrew, Bill Gates dhe Leon Black.
Një pjesë e personave të njohur që kanë përdorur fluturimet charter kanë argumentuar se kanë fluturuar në destinacione të tjera nga shtëpia famëkeqe e pushimeve në Ishujt Virgin të SHBA-së, kur është provuar tashmë se organizoheshin festat me vajzat e reja.