Foto e një prej liderëve të grupit palestinez Hamas në kopertinën e revistës amerikane Forbes po qarkullon në rrjet. Verifikimi i Faktoje zbuloi se Forbes nuk ka botuar kurrë një revistë të tillë, dhe foto është e manipuluar.

—————————————-

Në rrjete sociale po qarkullon çfarë duket si kopertina e revistës amerikane të biznesit Forbes me Khaled Mashal, ish kryetarin e grupit ekstremist palestinez Hamas. Imazhi është shpërndarë edhe nga faqja Izraeli në Shqipëri, e cila ka mbi 9 mijë ndjekës në Facebook.

Mbi foton e Mashal, në kopertinë shkruhet: “Këshilla për shkatërrimin e vendit tënd” dhe “Khaled Mashal, $5,000,000,000, miliarder”.

E njejta foto është postuar edhe nga llogaria zyrtare e qeverisë izraelite në Twitter. Në këtë version më të plotë dallohet se në pjesën e sipërme të kopertinës shkruan “7 tetor 2023”.

Për më tepër, ky postim është pasuar nga një tjetër, në të cilin kjo llogari sqaron se “kopertina e mësipërme është satirë dhe ilustrative.“

Në të vërtetë, në faqen zyrtare të Forbes, revista e Tetor/Nëntorit 2023 ka në kopertinë pronarin e Facebook, Mark Zuckerberg, jo Khaled Mashal. 

Kopertina me Khaled Mashal nuk shfaqet as në arkivën e kopertinave të Forbes.

Një zëdhënës i Forbes konfirmoi për Reuters se kopertina nuk ishte botuar nga revista.