Pretendimi: Kjo video tregon një intervistë me Hillary Clinton që ndërpritet nga dikush që thotë të vërteta që ajo nuk do t’i dëgjojë.

Verdikti: Video e manipuluar

———————————————–

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon një video ku duket se ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton, gjatë një interviste televizive, ndërpritet nga një person që liston të gjitha ‘mëkatet’ e saj dhe bashkëshortit të saj, ish-presidentit Bill Clinton. “Për fat ka akoma njerëz që dalin jashtë skripteve,” shkruhet në përshkrimin që shoqëron një nga postimet.

Video ndahet si pjesë e paraqitjeve publike të Clinton në fushatën presidenciale në ShBA të këtij viti. 

Për fat të keq, video e mësipërme nuk është e vërtetë.

Ajo është prodhuar nga Damon Imani, i vetëquajtur satirist, emri i së cilit shfaqet në cepin e djathtë, lart, të videos.

Faktoje zbuloi se video e mësipërme është postuar fillimisht nga Imani në llogarinë e tij në Tëitter, më 10 nëntor 2023.

Imani e ka cilësuar postimin si “parodi por e vërtetë.”
Faktoje ka përgënjeshtuar edhe më parë video të prodhuara nga Imani që kanë arritur të mashtrojnë përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilët i kanë shpërndarë si të ishin të vërteta.