Pretendimi: Kjo foto tregon ish-presidentin amerikan Donald Trump

Verdikti: Foto e manipuluar

—————————————————————-

Në kulmin e debatit për moshën e kaluar të kandidatëve për presidentë në ShBA, mbështetësit e ish-presidentit amerikan Donald Trump po shpërndajnë çka pretendohet se është një foto e tij në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse. Pamja prej aktori të filmave me heronj shoqërohet me postime me superlativa për njeriun që “shpëtoi Botën dhe Amerikën”.

Fatkeqësisht, ata mund të zhgënjehen kur të marrin vesh se foto e mësipërme është e manipuluar duke përdorur filtra të programeve të fotografive.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Reverse Image Search, Faktoje gjeti se foto e mësipërme qarkullon në rrjet të paktën që prej 2018.

Ajo është një version i ‘zbukuruar’ i një fotografie të vërtetë të Donald Trump nga viti 1980, kur ai ka qenë 34 vjeç.

Foto e modifikuar (majtas) dhe foto origjinale (djathtas)

Trump shërbeu si president i ShBA nga viti 2016 në vitin 2020, dhe do të kandidojë sërish në zgjedhjet e nëntorit 2024 kundër presidentit të tanishëm amerikan Joe Biden.