Foto që pretendon se tregon ish-kryeministrin pakistanez Imran Khan duke lexuar Kuranin në burg është e manipuluar. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se foto origjinale tregon një tjetër politikan pakistanez, Ali Muhammad Khan.
——————————
Faqja me mbi 50 mijë ndjekës në Facebook, Gazeta Selam, ka postuar një foto që pretendon se tregon ish-kryeministrin e Pakistanit, Imran Khan, duke lexuar Kuranin në një qeli.
Imran Khan ka shërbyer si kryeministër i Pakistanit nga 2018 në 2022. Në Gusht 2023, ai u arrestua pasi u dënua me 3 vite burg për korrupsion.
Megjithatë, në postin e mësipërm vërehet me sy të lirë se foto është manipuluar duke vendosur kokën e Imran Khan në trupin e dikujt tjetër.
Kështu, Faktoje vendosi të gjejë foton origjinale.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve, Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se foto origjinale tregon në të vërtetë një tjetër politikan pakistanez, Ali Muhammed Khan.
Foto origjinale tregon politikanin pakistanez Ali Muhammed Khan
Ali Muhammed Khan është kreu i partisë Lëvizja Pakistaneze për Drejtësi (PTI). Ai u arrestua filimisht në 11 maj 2023, për përfshirjen e tij në protestat e dhunshme që pati në Pakistan pas arrestimit të ish-kryeministrit Imran Khan. Ai u arrestua dhe 8 herë të tjera, dhe kaloi 78 ditë në burg gjithsej. Më 27 korrik, Ali Muhammed Khan u lirua përfundimisht.
Foto e mësipërme është nga Qershori 2023, pas arrestimit të tij për herë të katërt.
Partia e Khan, PTI, ka postuar edhe foto të tjera nga qelia ku ai ndodhej. Në këto foto vihet re se ambjentet e qelisë janë të njejtat si foto e mësipërme, çka dëshmon se foto origjinale është ajo e Ali Muhammed Khan, dhe foto që po qarkullon në internet, me kokën e mbivendosur të Imran Khan, është një modifikim.
Ali Muhammed Khan në burg
Ali Muhammed Khan duke lexuar një libër në burg