Pretendimi: Kjo foto tregon Nënë Terezën të armatosur dhe me shallin simbol palestinez

Verdikti: Foto e manipuluar

———————————————-

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon një imazh që duket se tregon shenjtoren dhe nobelisten shqiptare Gonxhe Bojaxhi, njohur ndryshe si Nënë Tereza, duke mbajtur një automatik në dorë dhe një shall bardhë e zi, të quajtur keffiyeh, një simbol i rezistencës palestineze. 

Por, mjafton një kërkim për të konfirmuar se foto e mësipërme është e manipuluar.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Reverse Image Search, Faktoje gjeti foton origjinale, e cila është shkrepur në 1969, dhe tregon aktivisten palestineze Leila Khaled.

Sipas përshkrimit, kjo foto tregon “Layla Khaled, një nga dy pengmarrësit e një avioni amerikan T.W.A në Damask duke buzëqeshur pasi u kthye në bazën e saj guerile në Jordani.”

Në 29 gusht 1969, Kahled dhe një tjetër anëtar i Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLF) morën peng fluturimin 840 të linjës TWA që udhëtonte nga Roma në Tel Aviv. 

Pengmarrësit e detyruan avionin të zbarkonte në Damask, Siri, ndërsa Khaled dha një fjalim ku shpjegoi se ata e kishin devijuar fluturimin “sepse TWA është një nga linjat ajrore amerikane më të mëdha që u shërben rrugëve ajrore izralite dhe, më e rëndësishmja, sepse është një avion amerikan.”
“Qeveria amerikane është mbështetësja më e vendosur e Izraelit. Ajo e furnizon Izraelin me armë për shkatërrimin tonë. Ajo u jep sionistëve dollarë amerikanë të pa taksuar. Ajo mbështet Izraelin në konferencat botërore. Ajo i ndihmon ata në çdo mënyrë. Ne jemi kundër Amerikës sepse ajo është një vend imperialist,” tha Khaled.