Pretendimi: Ky imazh tregon reperin amerikan Sean ‘Diddy’ Combs dhe zv. presidenten amerikane Kamala Harris

Verdikti: Foto e manipuluar

—————————————————————-

Reperi dhe producenti Sean Combs, i njohur gjithashtu si P. Diddy, u arrestua më 16 shtator nën akuzua për “shantazh, trafikim seksual dhe transport për t’u angazhuar në prostitucion.” Prokurori Damian Williams tha se “të paktën nga 2008 e deri më tani, Combs ka abuzuar, kërcënuar dhe detyruar viktimat për të përmbushur dëshirat e tij seksuale, mbrojtur reputacionin e tij dhe fshehur sjelljen e tij.”

Që nga arrestimi i tij, në rrjete sociale po qarkullon një imazh që duket se tregon Diddy krahas zv. presidentes dhe kandidates amerikane për presidente në zgjedhjet e nëntorit 2024, Kamala Harris.

Me anë të motorit te kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto e mësipërme është e manipuluar.

Foto origjinale, e shkrepur në 2001 nga fotografi Ron Galella, tregon Kamala Harris, prezantuesin Montel Williams dhe vajzën e tij Ashley Williams në një mbrëmje bamirësie.

Imazhi që po qarkullon në rrjete sociale është krijuar duke vendosur kokën e Diddy mbi trupin e Montel Williams.

Foto e manipuluar (majtas) dhe foto origjinale (djathtas)

Në arkivën e fotove Getty Images shfaqen edhe një numër fotosh të tjera të Harris dhe Williams në atë mbrëmje nga kënde të tjera.

Në 2019, Montel Williams konfirmoi në Twitter se kishte patur një lidhje të shkurtër me Harris para 20 vitesh, kur ata ishin të dy beqarë.