.

.

BallinaPremtimeE majta qeverisëse: Ulim me 20% aksidentet rrugore

E majta qeverisëse: Ulim me 20% aksidentet rrugore

ANDI BORA

Ulje në masën 20% e aksidenteve rrugore, që në vitin e parë të mandatit qeverisës. Ky ishte një ndër premtimet e shkruara e zeza mbi të bardhë në programin qeverisës të Aleancës për Shqipërinë Evropiane, 2013-2017.

Por çfarë ka ndodhur me këtë premtim dhe si qëndrojnë raportet e shifrave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT)?

Shifrat që disponojmë janë deri në vitin 2017, pasi për vitin 2018 shifrat janë të publikuara deri në muajin nëntor.

Por sipas këtyre të dhënave, praktikisht ky premtim rezulton të jetë i pambajtur, pasi sipas shifrave që në vitin e parë qeverisës të Ramës, nga viti 2013-2014 ulja e aksidenteve rrugore ka një masë prej vetëm 8%.

Ajo që vihet re nga përllogaritja që ne kemi bërë, është se numri i aksidenteve në vitin 2017 krahasuar me vitin 2013, ka rënë me 4.7%, që është shumë larg premtimit të dhënë ku vetëm në një vit synohej të ulej me 20%.

Gjatë qeverisë Berisha, viti 2013 krahasuar me 2009 ka pasur një rritje me 42% të numrit të aksidenteve, ndërsa po të krahasojmë vitin 2017 me vitin 2009 vihet re që ka një rritje me 35% të numrit të aksidenteve.

Ashtu siç mund të vihet re edhe nga grafiku që ne kemi paraqitur më sipër, premtimi i Ramës nuk është përmbushur dhe duket larg asaj çfarë vërtetë ishte premtuar.

Si e kishte parashikuar qeveria që ta mbante këtë premtim dhe pse ka dështuar në masën më të madhe të tij?

Duke iu referuar programit qeverisës të Aleancës për Shqipërinë Evropiane 2013-2017, kjo do të realizohej ndër të tjera edhe nëpërmjet përfundimit të veprave rrugore, e cila është njëra nga ndërhyrjet që u parashikua për përmirësimin e situatës së aksidenteve.  

“Rritja e sigurisë rrugore përbën gjithashtu një prioritet madhor. Kjo do të realizohet në tri ndërhyrje kryesore: në drejtim të përfundimit të veprave të papërfunduara sipas standardeve si dhe eliminimit të pikave të zeza të aksidenteve; forcimit të rregullave të qarkullimit rrugor dhe zbatimit të tyre pa kompromis; si dhe një fushate ndërgjegjësuese e edukative që fillon në bankat e shkollës”, shkruhet në program.

Disa prej veprave kryesore kur erdhi në pushtet Aleanca për Shqipërinë Evropiane në vitin 2013, ishin ende të papërfunduara. Sot vazhdojnë të jenë po njësoj, duke filluar që me rrugën Qukës-Qafë Plloç, e cila u premtua nga Berisha në vitin 2009, por edhe në mandatin e dytë të Ramës, fati i kësaj rrugë është ende i njëjtë.

E njëjta situatë edhe me rrugën e Arbrit. Mbas shumë vitesh premtime boshe, sot punimet janë duke vazhduar, por ndërkohë janë segmentet e vështira të rrugëve që përdorën për të shkuar në Dibër, të cilat jo pak herë kanë qenë vatra aksidentesh.

Vlora dhe Fieri akoma vuajnë mungesën e Bypass-eve, si pasojë e mosmbajtjes së premtimeve.

Autostrada Tiranë-Elbasan, ende është me statusin “e papërfunduar” edhe pas 8 vitesh. Kalvari i gjatë i zvarritjeve të punimeve, mungesa e sinjalistikës dhe devijimet në rrugë jo pak herë janë kthyer në burim i vazhdueshëm aksidenti.

Në këto kushte të infrastrukturës rrugore por duke parë edhe numrin e aksidenteve të regjistruara së fundmi, ulja me 20% e tyre duket se është ende një objektiv i largët për t’u arritur.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img