Pretendimi: SHBA e bleu Alaskën për vetëm 7.2 milionë dollarë
Verdikti: Mungon konteksti
Ditët e fundit, disa media shqiptare kanë qarkulluar lajmin se SHBA e ka blerë shtetin e Alaskës nga Rusia për vetëm 7.2 milionë dollarë. Duke përdorur tituj sensacionalë, këto artikuj e kanë përshkruar shitjen e Alaskës si “çmenduri,” ose kanë shtuar pikëçuditëse në fund për të vënë në dyshim këtë çmim që konsiderohet tepër i ulët. Megjithëse shifra është e saktë, në këto artikuj nuk shpjegohet një detaj mjaft i rëndësishëm, faktin që ky është çmimi me të cilin SHBA e bleu Alaskën në vitin e largët 1867. Duke marrë parasysh historikun e inflacionit, ky çmim në ditët e sotme do të ishte rreth 157 milionë dollarë.
Ndërkohë, artikuj te tjerë kanë shkruar tituj spekulativë për të bërë të duket sikur situata e Alaskës është vënë në pikëpyetje, apo një marrëveshje e re mund të ndodhë midis Amerikës dhe Rusisë.
Në fakt, asnjë nga këto detaje nuk përmendet as në artikullin vetë, i cili fokusohet tek historiku i kësaj marrëveshje midis Amerikës dhe Rusisë përgjatë takimit që Putin dhe Trump mbajtën për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë. Ky takim u mbajt në Anchorage, qytetin më të madhë të shtetit. Si pasojë, këtu bëhet fjalë për një artikull, i cili është publikuar në mes të një serie lajmesh me tituj të ekzagjeruar për përmbajtjen e takimit.
Shuma prej 157 milionë dollarësh mund të duket si shumë e ulët për një territor si ai i Alaksës, i cili ka një sipërfaqe prej rreth 1,518,800 kilometrash katror. Megjithatë, historia e blerjes së Alaskës është më e komplikuar. Përmes negociatave të udhëhequra nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së William H. Seward dhe i dërguari rus Eduard de Stoeckl, një marrëveshje u nënshkrua më 30 mars 1867 dhe u ratifikua nga Senati i SHBA-së. Alaska ju transferuar SHBA-ve më datë 18 tetor 1867, ditë që tani përkujtohet si Dita e Alaskës.
Rusia vendosi ta shiste territorin e Alaskës për një sërë arsyesh siç e shpjegon The New York Times, duke përfshirë frikën se Britania e Madhe apo fuqive të tjera evropiane, që kishin territore në Kanadanë e sotme, mund ta sulmonin Rusinë përmes Alaskës. Në atë kohë, disa kritikë e tallën marrëveshjen, duke e quajtur atë si “Marrëzia e Seward,” duke e akuzuar Sekretarin e Shtetit se kishte harxhuar miliona për të blerë një tokë pa vlerë. Megjithatë, vlera e Alaskës si territor do të rritej në vitet në vazhdim, pasi territori doli të kishte burime të shumta ari dhe nafte.