Pretendimi: Kjo video tregon se ibuprofeni përmban një substancë magnetike
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————-
Një video në gjuhën italiane, që po shpërndahet edhe në rrjetet sociale shqipfolëse, duket se tregon grimca të tabletave të ibuprofenit që tërhiqen nga një magnet, duke hedhur dyshimin kështu se përmbajta e ilaçit përfshin substanca të dëmshme.
Autori i videos merr një tabletë Brufen Analgesico dhe, me një thikë, gërvisht disa grimca në pjesën e tabletës të printuar me shkronjat “MIL1”, të cilat më pas i afron me një magnet për të treguar se ai i tërheq ato.
Sipas të dhënave në fletëpalosjen e ilaçit, boja e printimit të tabletave përmban oksid hekuri të zi (E172).
Kjo substancë kimike, me formulën Fe3O4, gjendet në natyrë në formën e mineralit mangetit dhe në laborator në formë pluhuri të zi. Përdorimi i tij më i shpeshtë është si pigment i zi. Ai shfaq vetinë e magnetizmit të përhershëm, pra prodhon një fushë magnetike.
Kjo shpjegon se pse grimcat e gërvishtura nga pjesa e printuar e tabletës tërhiqen nga magneti në video.
Oksidi i hekurit të zi është një substancë e miratuar për përdorim nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe Autoriteti Europian i Sigurisë së Ushqimit (EFSA).