.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE keqinterpretuar statistika për dëmshpërblimet nga vaksinimi në ShBA

E keqinterpretuar statistika për dëmshpërblimet nga vaksinimi në ShBA

Jona Cenameri

Pretendimi: Autoritet në ShBA dëmshpërblejnë në heshtje fëmijët me autizëm nga vaksinimi  

Vlerësimi: Mungon konteksti

Një video e shkurtër e titruar në shqip po ndahet së fundmi në Facebook me pretendimin se provon lidhjen mes vaksinave dhe çrregullimeve të spektrit autik tek fëmijët. Në video shihet një pjesë nga një raportim i televizionit amerikan Fox News, ku përmendet një studim që ka identifikuar 83 raste kompensimi nga qeveria federale amerikane për fëmijë të dëmtuar nga vaksinat dhe që vuajnë gjithashtu nga autizmi. Videoja jep idenë e një zbulimi të ri, por përmban mesazhe që përputhen me teori të njohura konspirative mbi vaksinimin.

Duke përdorur motorrin e verifikimit të imazheve Google Lens arritëm te videoja origjinale, e postuar në faqen zyrtare të Fox News në vitin 2013, në kuadër të emisionit “America Live with Megyn Kelly”. Është evidente se videoja e shpërndarë në Facebook është një fragment i prerë nga një emision i transmetuar 12 vite më parë dhe jo një raport i ri, siç sugjeron montazhi.

Versioni origjinal zgjat rreth shtatë minuta, ndërsa fragmenti që po qarkullon është i prerë në mënyrë të qëllimshme dhe përzgjedhëse, duke lënë jashtë elementë që ndryshojnë kuptimin e raportimit. Në videon e plotë, gazetarja nënvizon se “miliona fëmijë vaksinohen dhe nuk shfaqin shqetësime” dhe ngre pyetje mbi konfliktin e interesit të autorëve të studimit, të cilët janë prindër të fëmijëve me autizëm dhe disa prej tyre avokatë të familjeve që kërkojnë kompensim. Të gjitha këto janë hequr nga videoja e shpërndarë në Facebook.

Studimi i përmendur në kronikë nuk është kërkim shkencor, por një analizë juridike e publikuar më 2011 në Pace Environmental Law Review. Autorët kanë shqyrtuar dosje të Programit Federal për Kompensimin e Dëmtimeve nga Vaksinat (VICP) dhe kanë pretenduar se 83 raste të dëmtimit të trurit te fëmijët e vaksinuar përfshinin edhe simptoma autizmi. Ky publikim, megjithatë, nuk ofron prova shkencore që vaksinat shkaktojnë autizëm. Është një statistikë e vendimeve të gjykatave për dëme anësorë neurologjike të të vaksinuarve, një rrezik minimal që është bërë publik që prej lindjes së vaksinave të para.

Vendimet e njohura si Omnibus Autism Proceeding, të dhëna nga Gjykata Federale e Kërkesave në SHBA gjatë viteve 2009-2010, shqyrtuan me mijëra raste dhe konkluduan se nuk ka asnjë provë që vaksinat, përfshirë atë kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR), të shkaktojnë autizëm. Ky qëndrim përkrahet edhe nga autoritetet shëndetësore ndërkombëtare. Në versionin origjinal të intervistës përfshihet edhe një deklaratë nga Departamenti i Shëndetit i SHBA, e cila rithekson se gjykatat nuk gjetën lidhje mes vaksinave dhe autizmit, pjesë që mungon gjithashtu në variantin e shkurtuar.

Në përfundim, videoja që po qarkullon është një material i vjetër, i prerë qëllimisht dhe i nxjerrë jashtë kontekstit, duke ringjallur një teori të rrëzuar prej kohësh si nga gjykatat, ashtu edhe nga komuniteti shkencor. Duke u paraqitur si lajm i ri, ajo krijon konfuzion dhe rrezikon të nxisë frikë të pabazuar ndaj vaksinimit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img