Një inistiativë e prezantuar gjatë Forumit Ekonomik Botëror për të “transformuar ekonominë ujore” po keqinterpretohet në rrjete sociale si një tentativë e rradhës për të kontrolluar njerëzimin nëpëmjet krizës së ujit të pijshëm.
Jona Plumbi
Një publikim në rrjetin social Facebook ku është shpërndarë një video e shkëputur nga një takim i Forumit Ekonomik Botëror, keqinterpreton deklaratat e bëra në takim nga Mariana Mazzucato, profesore ekonomie në një Universitet në Londër dhe bashkëpunëtore e Forumit Ekonomik Botëror.
Duke përdorur një pjesë të bisedës së 24 Gushtit 2022, kur edhe u bë lançimi i Komisionit Global për Ekonominë Ujore, teksti që shoqëron videon mbi këtë takim pretendon se qëllimi i takimit është detyrimi i njerëzve përmes shpikjes së krizave artificiale.Vrasesit kan plane, edhe se deshtuan me vaxinimin e planetit,gjithashtu deshtuan dhe me “ndryshimin klimatik”. Hapi i radhes per te detyruar njerezimin do jet kriza hidrike (e ujit) – shkruhet në postim.
Komisioni Global për Ekonominë Ujore
Në fakt, me një kërkim në rrjet mbi takimin në fjalë, zbulon në faqen zyrtare të kësaj iniciative se qëllimi i Komisionit Global për ekonominë ujore lidhet me ndryshimin e politikave të shteteve dhe bashkëpunimit global në mbështetje të qëndrueshmërisë së klimës dhe ujit, por edhe sigurisë për ushqim, energji elektrike dhe ujë.
Në videon që shoqëron publikimin në rrjetin social, dëgjohet ekonomistja Mariana Mazzucato që flet për faktin se uji është një e mirë e përbashkët, mungesën e së cilës e kupton kushdo, ndryshe nga ndryshimet klimatike që për pjesën më të madhe të njerëzve tingëllon disi abstrakte.
Diskutimi në video:
“Mund të shtoj dicka lidhur me atë që ju sapo thatë.
Ajo është po aq e vërtetë edhe për Covid-in. Ne jemi po aq të shëndetshëm sa fqinji ynë në lagje, në rrugë, në qytet, në rajon dhe në glob. A e zgjidhëm këtë? A ja dolëm vërtetë të vaksinojmë të gjithë popullatën e botës? Jo!
Ndaj vendosja e theksit tek fakti që uji është një e mirë globale dhe e përbashkët dhe çfarë do të thotë të punojmë sëbashku për ta parë edhe nga perspektiva e të qënit një burim natyror i përbashkët por njëkohësisht edhe nga perspektiva e interesit personal të gjithëkujt.
Është e rëndësishme edhe sepse ne nuk kemi arritur të rregullojmë ato probleme që kanë pasur tipare të ngjajshme dhe uji është dicka që njerëzit e kuptojnë. Psh, ndryshimet klimatike janë pak abstrakte për t’u kuptuar. Ndërsa ujin dhe rëndësinë e tij e kupton çdo fëmijë. Ndaj ka të bëjë edhe me përfshirjen e qytetarëve rreth kësaj dhe të eksperimentojmë me nocionin e të mirës së përbashkët. A mund t’ja arrijmë këtë herë aty ku kemi dështuar më herët, me shpresën se nuk do vijojme të dështojmë në gjërat e tjera.”
Gjeni këtu videon e plotë të diskutimit.
Edhe pse akuza e ngritur është e paqartë, pasi pretenduesi nuk ka specifikuar se për çfarë do të detyrohen njerëzit, ajo që është e lehtë për tu kuptuar në bisedën e shkëputur nga lançimi i watercommission.org është se folësja flet për “dështim” me ndryshimet klimatike duke nënkuptuar dështimin për t’i bërë njerëzit të kuptojnë rëndësinë e fenomenit, apo politik-bërësve për të ndërmarrë veprime për ta ndalur atë.
Madje, iniciativa e lidh ngushtësisht nevojën për të ruajtur dhe mirëmenaxhuar burimet ujore, si pjesë e rëndësishme e adresimit të ndryshimeve klimatike.
Synimi i iniciativës është arritja e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të drejtë ujore përmes ndryshimit të mënyrës se si e vlerësojmë, menaxhojmë dhe përdorim ujin.
Krizë uji?
Në thelb të iniciativës është fakti se bota po përballet me një krizë sistematike të ujit.
Sipas Kombeve të Bashkuara, përdorimi i ujit është rritur me më shumë se dyfishin e shkallës së rritjes së popullsisë në shekullin e kaluar. Deri në vitin 2025, rreth 1.8 miliardë njerëz do të jetojnë në zona të rrënuara nga mungesa e ujit, ku dy të tretat e popullsisë së botës do të jetojnë në rajone me vështirësi për ujië si rezultat i përdorimit, rritjes dhe ndryshimeve klimatike.
Edhe në vendet me burime të mjaftueshme ujore, mungesa e ujit nuk është e pazakontë. Edhe pse kjo mund të jetë për shkak të një sërë faktorësh – infrastrukturës së rrënuar dhe sistemeve të shpërndarjes, kontaminimit, konfliktit ose menaxhimit të dobët të burimeve ujore – është e qartë se ndryshimet klimatike, si dhe faktorët njerëzorë, po u mohojnë fëmijëve të drejtën e tyre për ujë të sigurt dhe highenë. – shkuan UNICEF në faqen e saj ku shpjegon mungesën e ujit të pijshëm në vende të ndryshme të botës.
Përfundim
Të besosh apo jo në ekzistencën e krizave të ndryshme globale lidhur me të mira të përbashkëta si psh uji i pijshëm është zgjedhje personale e gjithëkujt, por të quash “vrasës me plane” njerëz dhe organizata vetëm sepse punojnë për të krijuar ndërgjegje kolektive për probleme si mungesa e ujit të pijshëm apo ngrohja globale është abuzive dhe keqinformuese.
Nisur nga këto të dhëna pretendimin e publikuar në rrjetin social Facebook e kategorizojmë si të pavërtetë.