Pretendimi: Vëllimi i vitit 1958 i enciklopedisë shpjegon se ka një kube në fund të Antarktidës që mbahet e fshehtë

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjetet konspiracioniste po përdoret për të pretenduar se Toka është e Sheshtë dhe mbi të ekziston një kube transparente. Si “provë” për këtë sillet një citim nga një botim i vitit 1958 i Encyclopaedia Britannica, enciklopedia më e vjetër në botë ende në qarkullim.

Personi në video lexon nga libri: “fluturimet u vërtetuan se zonat në brendësi ishin pa tipare me një kube 13 mijë këmbë të lartë në rreth 80 gradë gjeografike në jug, gjatësi 90 gradë lindje”

Konspiracionistët e interpretojnë këtë citim si përshkrim i kubesë imagjinare që mbulon Tokën e Sheshtë. 

Në të vërtetë, ky është një përshkrim i Kubesë Argus, një kube akulli 4 mijë metra e lartë, ose 13 mijë këmbë. Ajo është kubeja më e lartë në Rrafshnaltën e Antarktikut dhe mendohet se është vendi më i ftohtë në Tokë, ku temperaturat besohet se arrijnë −90 deri −98 °C.

Kubetë e akullit janë fenomene akullnajore dhe komponentë kryesorë të një shtrese akulli ose platforme akulli. Ato kanë sipërfaqe konvekse, me formë parabolike dhe zakonisht formohen në mënyrë simetrike mbi një masë tokësore. Trashësia e tyre shpesh i kalon 3000 m.

Vendndodhja e Kubesë Argus në hartën e Antarktidës

Stacion automatik australian i motit në Kubenë Argus