Pretendimi: Kjo video tregon mungesën e pritjes zyrtare të ministres së Jashtme gjermane në Kinë pas deklaratave të saj kundër presidentit Xi Jinping.
Vlerësimi: E pavërtetë
Jona Cenameri
Në datën 8 shtator, portali Zoom.al_news shpërndau një video që tregonte ministren e jashtme gjermane, Annalena Baerbock, duke zbritur e vetme nga një avion pa praninë e ndonjë delegacioni pritës. Postimi shoqërohej me mbishkrimin: “Kur Kina përçmoi hapur Gjermaninë. Askush nuk doli ta presë ministren e jashtme Annalena Baerbock në aeroport”.
Sipas tekstit, incidenti lidhej me faktin që një vit më parë, në një intervistë për Fox News (shtator 2023), Baerbock e quajti presidentin kinez Xi Jinping “diktator”. Kjo deklaratë pati sjellë reagime të forta nga Pekini, i cili thirri ambasadoren gjermane Patricia Flor për t’i bërë një vërrejtje zyrtare.
Videoja, e cila shfaqet me ministren gjermane të habitur teksa shikon përreth, u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale me pretendimin se bëhej fjalë për mbërritjen e saj në Kinë në tetor 2024.
Një kërkim i thjeshtë me Google Lens lidh videon me publikime në disa media kineze, si The Paper dhe Chongqing News Net, të cilat e cilësojnë pretendimin si të rremë. Artikujt sqarojnë se videoja nuk ka asnjë lidhje me Kinën. Në fakt, pamjet janë regjistruar gjatë vizitës së Baerbock në Malajzi, në janar 2024.
Fotografi gjerman Michael Kappeler nga agjencia Deutsche Presse-Agentur ka publikuar të njëjtën video në platformën Picture-Alliance më 12 janar 2024, me përshkrimin: “Ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock mbërrin në aeroportin e Kuala Lumpur, Malajzi”.
Gjithashtu, Ambasada e Gjermanisë në Kuala Lumpur dhe Qendra e Informacionit të Gjermanisë për Azinë Juglindore publikuan në rrjete sociale më 19 janar të njëjtën video nga një këndvështrim tjetër, duke konfirmuar se vizita ishte pjesë e një turi diplomatik në Azinë Juglindore.
Më 31 tetor 2024, Reuters Fact Check publikoi një verifikim ku theksohej se videoja është keqinterpretuar. Sipas një zyrtari të Ministrisë së jashtme gjermane “një ngatërresë në komunikim nga pilotët solli ndalimin e avionit në një parkim të ndryshëm nga ai që ishte planifikuar nga protokolli. Delegacioni vendas dhe ambasadori gjerman po priste në një tjetër zonë të aeroportit. Për këtë arsye, ministrja bëri disa hapa vetëm përpara se të takonte zyrtarët malajzianë”.
Pra, pamjet që qarkulluan në rrjet tregojnë një moment të shkëputur, pa kontekstin e plotë të protokollit diplomatik. Në realitet, Baerbock u prit zyrtarisht nga përfaqësues të qeverisë së Malajzisë dhe ambasadori gjerman.
Asnjë burim i besueshëm nuk ka raportuar që Baerbock të ketë vizituar Kinën gjatë vitit 2024. Përkundrazi, burime zyrtare gjermane konfirmojnë se vizita e saj në Azi në atë periudhë përfshinte Malajzinë, Filipinet dhe Singaporin, jo Kinën.
