Pretendimi: Gjetja e një pjese të pashpërthyer të raketave iraniane provon se sulmi ndaj Izraelit ishte një lojë
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————-
Të shtunën, më 13 prill 2024, Irani sulmoi për herë të parë në mënyrë direkte armikun e tij Izraelin, duke lëshuar mbi 300 raketa dhe drone në drejtimin e tij.
Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se raketat e hedhura nga Irani ishin bosh, pra nuk përmbanin lëndë shpërthyese. Si “provë” për këtë pretendim sillet foto e një cilindri gjigand të hekurt, që presupozohet se është një nga raketat iraniane.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje gjeti një version me ciliësi më të lartë të fotos së mësipërme, ku arrihet të dallohet numri serial i shkruar përgjatë cilindrit metalik: EMA JAE A241.
Më 17 prill, media izraelite The Times of Israel raportoi se ushtria izraelite kishte gjetur mbetje të një rakete iraniane Emad duke pluskuar në Detin e Vdekur.
Cilindri metalik që ushtria izraelite i tregoi mediave përngjan me cilindrin në foto, dhe mban të njejtin numër serial. Pra, mund të themi se po flasim për të njejtin objekt.
Mbetjet e raketës së gjetur nga ushtria izraelite kanë të njejtin numër serial si në foton që qarkullon në rrjet
Megjithatë, cilindri në fjalë nuk është raketa, apo ndonjë pjesë e saj që do përmbante lëndë shpërthyese. Gazeta “The Times of Israel” raporton se cilindri metalik 11 metra i gjatë është serbatori i karburantit i raketës. Ai përbën vetëm 70% të gjithë raketës. Sipas ushtrisë izraelite, raketa Emad nga është shkëputur ky serbator vlerësohet të ketë patur një kokë 500 kg. Në këtë kokë do të ndodhej lënda shpërthyese e raketës. Serbatori i raketës shkëputet përpara se predha të arrijë objektivin dhe ta godasë atë.
Pra gjetja e cilindrit shtytës së raketës në territorin izraelit provon se raketa iraniane ka qënë e suksesshme në rrugëtimin e saj. Predha mund të ketë goditur objektivin e saj ose është shpërthyer në ajër nga sistemi mbrojtës izraelit.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite rrëfeu se, fillimisht, kur kishte parë fotot e mbetjeve të raketës, kishte menduar se ishin të rreme. “Nuk ka asgjë të pavërtetë lidhur me këtë, apo rrezikun që ajo kanoste,” shkroi ai në Twitter.
Pra, të dalësh në përfundimin se foto e serbatorit të naftës së raketës iraniane do të thotë se kjo raketë nuk kishte lëndë shpërthyese është e pasaktë. Si rrjedhim, pretendimet që qarkullojnë në rrjete sociale mbeten të paprovuara.