Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë nuk deklaroi se numri i civilëve të vrarë në Gaza është zero. Në të vërtetë, John Kirby tha se zero është numri ideal i vdekjeve civile.
———————————————–
Në rrjete sociale po qarkullon video e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare John Kirby, shoqëruar me pretendimin se ai ka deklaruar se “numri i civilëve të vrarë në Gaza është zero.”
Klipi i mësipërm duket se është marrë nga një konferencë për shtyp e mbajtur në 26 janar.
Më 26 janar 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) urdhëroi Izraelin të merrte masa për të parandaluar aktet e genocidit gjatë luftës në Gaza, pas shqyrtimit të çështjes së sjellë nga Afrika e Jugut.
Në klip, Kirby dëgjohet të thotë:
“Dua të jem shumë i qartë – dhe e di që e kam thënë këtë një milion herë, dhe ju me gjasa jeni lodhur – por kjo nuk do të thotë që ne justifikojmë sikur edhe një jetë të pafajshme të humbur. Numri i duhur i vdekjeve të civilëve është zero.”
Kjo deklaratë mund të gjendet edhe në zbardhjen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.
Pra, siç kuptohet nga deklarata e plotë, Kirby nuk po pretendonte se numri i civilëve të vrarë në Gaza është 0. Ai po thoshte se numri i vdekjeve civile në Gaza, dhe në përgjithësi, duhet të jetë zero.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, numri i të vrarëve si pasojë e goditjeve izraelite ka kaluar 27 mijë.