Pretendimi: Kjo video tregon kreun e PD Sali Berisha të hutuar në skenë.

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————–

Një video që ka marrë mbi njëmijë pëlqime në rrjete sociale duket se tregon kreun e Partisë Demokratike dhe ish-kryeministrin Sali Berisha duke u sjellë si i hutuar gjatë fushatës zgjedhore në prill 2025. Sjellja e Berishës krahasohet me një video të ish-presidentit amerikan Joe Biden që duket se lëviz në mënyrë konfuze në skenë.

Me anë të motorit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti se video e Biden është nga Shtatori 2022. Biden u shfaq “i hutuar” teksa përfundoi një fjalim në Konferencën e Fondit Global në New York. Pamjet tregojnë Biden duke ecur për në buzë të skenës me duart e shtrira përpara tij, përpara se të dukej i humbur se ku do të shkonte më pas.

Ndërkaq, klipi i Berishës është nga një konferencë e Marsit 2025, gjatë së cilës Berisha zbuloi sloganin që PD do të përdorte në zgjedhjet e 2025.

Në videon e plotë, duket se Berisha ngrihet nga karrigia ku shfaqet i ulur në fillim, pasi pyetet nga një gazetar mbi sloganin që dukej në fasadën e re të sallës së konferencave të PD. 

Më pas, ai ecën drejt fasadës në fjalë, për t’ju përgjigjur pyetjes pranë shifrës 1 të printuar në fasadë. 

Klipi i përfshirë në videon që po qarkullon online qëllimisht përfundon përpara se Berisha të nisë fjalën, duke e nxjerrë nga konteksti veprimin e tij për ta bërë të duket i lodhur nga mosha. Nëse klipi do të ishte i plotë, do të dukej qartë se ecja e tij drejt fasadës në mur nuk ishte një veprim pa mend, por kishte për qëllim demonstrimin e sloganit dhe numrit të printuar në këtë fasadë, e cila ishte objekti i pyetjes së gazetarit.