Pretendimi: Ky imazh tregon presidentin amerikan Trump dhe kreyministrin izraelit Netanyahu në një plazh në Gaza

Verdikti: Gjeneruar me AI

—————————————————————-

Pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi planin e tij për të zhvendosur popullsinë palestineze nga Rripi i Gazës dhe për ta rizhvilluar atë nën pronësinë e Shteteve të Bashkuara, në rrjete sociale po qarkullon një imazh që duket se tregon Trump dhe kreyministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e ka mirëpritur me entuziazëm planin e Trump, duke marrë rreze në një plazh në “Gaza Riviera”.

Imazhi është qartazi i rremë, duke qenë se Rripi i Gazës mbetet një zonë lufte dhe plazhet e tij mbajnë ende gjurmët e 15 muajve të luftës.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se një version i imazhit të mësipërm ishte postuar më parë në forumin Reddit. Në cep të këtij versioni të imazhit duket një tregues i origjinës së tij.

Logo në cepin e djathtë, poshtë, i përket Grok, një program gjenerues i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga xAI. Grok përdor Aurora, një model nga-teksti-në-imazh, për të gjeneruar imazhe. Si modelet e tjera nga-teksti-në-imazh, Aurora gjeneron imazhe nga përshkrimet e dhëna nga përdoruesi.

Prania e ‘nënshkrimit’ të tij dëshmon se imazhi i mësipërm është gjeneruar me anë të programit të inteligjencës artificiale (AI).

Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.