Pretendimi: Kjo foto tregon shefin e Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Roven Zekën, teksa rrëzohet në një përpjekje për t’iu arratisur agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit

Verdikti: Gjeneruar me AI

——————————————————–

Një lajm i botuar më 19 prill nga portali JOQ Albania shoqërohet më një imazh që duket se tregon Shefin e Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Roven Zeka, të rrëzuar në tokë duke u përpjekur t’i arratiset arrestimit nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Megjithëse personazhi në imazh i përngjan Zekës dhe mban mbiemrin Zeka në uniformë, ai nuk është i vërtetë, por gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). 

Elementët kryesorë tregues janë stema në krahun e djathtë të uniformës, e cila përmban disa shenja që përngjajnë me tekst, por janë të padeshifrueshme, dhe nuk i përngjason stemës zyrtare të Policisë Shqiptare. Ylli i deformuar në spaletën e djathtë, homologu i tij që mungon nga spaleta e majtë, dhe sfondi i fumuar në mënyrë jo natyrale, gjithashtu, duhet ta bëjnë lexuesin skeptik të dyshojë.

Për konfirmim, nëse analizojmë imazhin e mësipërm me anë të mjeteve të detektimit të imazheve të gjeneruara me AI, tre nga tre mjete të përdorura e vlerësojnë atë si të gjeneruar me AI.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

Megjithëse imazhet e gjeneruara me anë të programeve AI sa vijnë e bëhen më të shpeshta në rrjet, lexuesi skeptik mund t’i dallojë si të pavërteta duke i kushtuar vëmendje detajeve dhe duke përdorur të menduarit kritik.