Pretendimi: Presidenti amerikan Donald Trump është rekrutuar nga KGB përpara rënies së Bashkimit Sovjetik me pseudonimin Krasnov.

Verdikti: E paprovuar

——————————————————-

Pretendimi i ish-kryetarit të Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Kazakistanit (KNB), Alnur Mussayev, se presidenti amerikan Donald Trump është agjent i spiunazhit rus me nofkën Krasnov është ripërsëritur në mënyrë jo kritike nga një numër portalesh shqiptare, shoqëruar me raste edhe me një imazh të Trump me uniformë dhe një tabelë ku shkruan “Unë jam Krasnov”.

Pretendimi se Trump është bashkëpunëtor i shërbimeve të inteligjencës ruse, ose se ai në një moment ka punuar përkrah tyre, bazohet vetëm në postimin në Facebook të Alnur Mussayev, ish-drejtor i Shërbimit të Sigurisë Kombëtare të Kazakistanit.

Në postim, Mussayev thotë se “në vitin 1987 (…) administrata jonë punësoi një biznesmen 40-vjeçar, Donald Trump, me pseudonimin “Krasnov”. Më pas, ai shton se “dosja “Krasnov” u hoq nga FSB [pasardhësi i KGB]” dhe se “ajo po trajtohet privatisht nga një person i afërt me Putinin.”

Megjithatë, Mussayev nuk ofron ndonjë provë për këtë pretendim të jashtëzakonshëm.

18 korrik 2018, Alnur Mussayev ka bërë gjithashtu një postim që sugjeronte se Trump mund të ishte bashkëpunëtor me Rusinë dhe KGB.

Në postim ai shkroi: “Bazuar në përvojën time të punës operative në KGB-KNB, mund të them me siguri se Trump i përket kategorisë së njerëzve të rekrutuar në mënyrë perfekte. Nuk kam dyshim se Rusia ka një kompromis me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, se për shumë vite Kremlini e promovoi Trumpin në pozitën e Presidentit të fuqisë kryesore botërore”

Megjithatë, as për këto pretendime, Mussayev nuk ofroi ndonjë provë.

Imazhi i Trump me tabelën “Unë jam Krasnov” është postuar fillimisht në Twitter më 21 shkurt, dhe është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale.

Sipas kolegëve të verifikimit të fakteve të France24, është e konfirmuar se biznesmeni Donald Trump vizitoi Moskën për qëllime biznesi në 1987. Arsyeja publike ishte negocimi i një terreni për ngritjen e një hoteli të zinxhirit Trump në kryeqytetin sovjetik që po hapej në atë periudhë ndaj Perëndimit. 

Megjithatë, të shumtë janë postuesit në gjuhën ruse që kanë vënë në dukje disa pasaktësi në dëshminë e Mussayev.  Në biografinë e tij publike, ai ka shkruar se ka nisur punën në drejtorinë e gjashtë të KGB në vitin 1979 deri në 1986, ku zhvendos në ministrinë e brendshme sovjetike. Detyra e tij, vihet re gjithashtu se nuk ka qënë e lidhur me rekrutimin e agjentëve të huaj, aq me tepër të nivelit të Donald Trump.

Dokumentat historikë të CIA kanë përcaktuar kopetencat e drejtorisë së gjashtë të KGB të fokusuara në çështjet financiara dhe ligjore, ndërkohë që rekrutimi ishte fushë e dedikuar për drejtorinë e parë të shërbimit sekret sovjetik.